Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka bërë të ditur se së bashku me kryeparlamentarin Afrim Gashi dhe deputetë të partive të tjera, kanë pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, me të cilin kanë diskutuar për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026.
Gjatë takimit, ambasadori Rokas ka theksuar se raporti i këtij viti është më i mirë se ai i vitit të kaluar, duke evidentuar përparimin e arritur, por edhe sfidat që mbeten.
Qoku ka vlerësuar konstatimet pozitive për funksionimin e Kuvendit, miratimin e Kodit Etik, Planit Strategjik 2027–2031, forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe konsensusin ndërpartiak për emërime të rëndësishme institucionale.
Ai ka theksuar se do të trajtohen me përgjegjësi edhe vërejtjet e raportit për mungesën e konsensusit politik dhe përdorimin e shpeshtë të procedurave të shkurtuara parlamentare.
Qoku ka rikonfirmuar përkushtimin e Grupit Parlamentar të VLEN-it për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërpartiak, si dhe avancimin e reformave evropiane, me synimin e anëtarësimit të plotë të vendit në Bashkimin Evropian.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.











