Fruthi, i njohur ndryshe si morbili, është një nga sëmundjet virale më ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobësuar. Sëmundja zakonisht fillon me simptoma të ngjashme me ftohjen, prandaj në fazën fillestare mund të jetë e vështirë të identifikohet.
Simptomat e para zakonisht shfaqen 7 deri në 14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Fillimi i sëmundjes shoqërohet kryesisht me temperaturë të lartë, e cila mund të arrijë edhe mbi 40 gradë, kollë të thatë, rrjedhje të hundëve, teshtitje, si dhe skuqje dhe lotim të syve.
Një nga shenjat karakteristike të hershme janë të ashtuquajturat njolla të Koplikut – pika të vogla të bardha që shfaqen në pjesën e brendshme të faqeve, në gojë, zakonisht dy deri në tri ditë pas fillimit të simptomave.
Skuqja në lëkurë shfaqet disa ditë më vonë
Pas simptomave fillestare, zakonisht pas tri deri në pesë ditësh, shfaqet skuqja karakteristike në lëkurë. Ajo zakonisht fillon në fytyrë, më së shpeshti përgjatë vijës së flokëve, dhe më pas përhapet gradualisht në qafë, trup, duar dhe këmbë.
Me shfaqjen e skuqjes, temperatura mund të rritet edhe më shumë. Skuqja zakonisht zgjat disa ditë dhe më pas largohet gradualisht.
Çfarë komplikimesh mund të shkaktojë fruthi?
Edhe pse te disa pacientë sëmundja kalon pa pasoja të rënda, fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze. Ndër më të shpeshtat janë infeksionet e veshit të mesëm dhe diarreja, e cila mund të çojë në dehidratim.
Në rastet më të rënda mund të shfaqen:
Pneumonia, përkatësisht inflamacioni i mushkërive;
Encefaliti – inflamacioni i trurit, i cili mund të shkaktojë pasoja të përhershme neurologjike;
Dehidratimi i rëndë si pasojë e diarresë;
Çrregullime të shikimit, madje edhe verbëri;
Probleme serioze me frymëmarrjen.
Fruthi mund të dobësojë përkohësisht edhe sistemin imunitar, duke e bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të tjera edhe pas kalimit të sëmundjes.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












