Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Hapen sportelet e Alta Bankës, intervenon edhe Ndihma e Shpejtë para filialit në Manastir

Hapen sportelet e Alta Bankës, intervenon edhe Ndihma e Shpejtë para filialit në Manastir

Disa herë gjatë mëngjesit, ekipet e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore kanë intervenuar para filialit të Alta Bankës në Manastir, pasi disa prej qytetarëve që prisnin në radhë janë ndier keq. Sot filloi pagesa e parave të gatshme në sportelet e bankës, pasi Banka Popullore mori administrimin e përkohshëm të saj, shkruan gazeta KOHA.

 

Në bankë lejohen të hyjnë vetëm klientët që kanë marrë SMS me termin për pagesë dhe që nuk posedojnë kartelë pagese. Ata mund të tërheqin më së shumti 20 mijë denarë brenda një periudhe prej dy javësh. Megjithatë, para filialit janë mbledhur edhe qytetarë që nuk kanë marrë ftesë. Mes tyre ka edhe persona të moshuar që nuk përdorin telefona celularë, si dhe qytetarë që kërkojnë dokumentacionin e nevojshëm për të hapur llogari në një bankë tjetër.

 

Lexo edheVENDIM URGJENT/ Banka Popullore merr kontrollin e Alta Bankës në Manastir – vendoset limit 10.000 denarë në javë për qytetarët!

Situata me Alta Bankën është reflektuar edhe në pushtetin lokal. Opozita ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës, në të cilën kryetari i Manastirit, Toni Konjanovski, të informojë se cilat ndërmarrje publike kanë llogari në këtë bankë, sa mjete kanë në to dhe çfarë hapash do të ndërmarrë Komuna. Sipas opozitës, deri tani nuk kanë marrë përgjigje.

 

“Kemi një qëndrim injorues si nga kryetari i Komunës, ashtu edhe nga kryetari i Këshillit, sepse nuk është caktuar seancë. Me këtë tregojnë se nuk u intereson për qytetarët dhe për atë që do të ndodhë me ndërmarrjet publike, pasi llogaritë e tyre janë të bllokuara”, deklaroi Mile Trajkovski, këshilltar nga “Poinaku”.

 

Kryetari i Manastirit, Toni Konjanovski, kërkesën për seancë të jashtëzakonshme e cilësoi si populiste. Në rrjetet sociale ai publikoi gjendjen e llogarive të pesë ndërmarrjeve publike që kanë llogari në Alta Banka, ku shuma e përgjithshme është rreth 144 mijë euro.

 

“Komuna e Manastirit, si themeluese e ndërmarrjeve publike, i ndjek udhëzimet dhe informacionet e Bankës Popullore të Maqedonisë. Fakti që një pjesë e ndërmarrjeve kanë llogari në Alta Banka në asnjë mënyrë nuk do të thotë se funksionimi i tyre është i rrezikuar. Besoj se shumë shpejt i gjithë rasti do të marrë një epilog”, shkroi Konjanovski.

 

Ai paralajmëroi se situata do të diskutohet edhe në një seancë të Këshillit Ekonomik-Social Lokal, ku do të shqyrtohen masat e mundshme që pushteti lokal mund të ndërmarrë për mbrojtjen e interesave të qytetarëve. (koha.mk)

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme