Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi se forcat amerikane kanë kryer sulme të kufizuara ajrore ndaj një sistemi kundërajror iranian në ishullin Keshm në Ngushticën e Hormuzit.
Duke folur për gazetarët në Florida, Trump e përshkroi operacionin si “të vogël”, duke shtuar se forcat amerikane shkatërruan, brenda minutash, një sistem të vogël kundërajror të Iranit.
“E shkatërruan për 15 minuta, ndoshta për pesë”, tha Trump për gazetarët, pa treguar se ku saktësisht u kryen sulmet dhe pa ofruar detaje të tjera operacionale.
Deklarata e tij u bë pasi mediat raportuan për shpërthime në ishullin Keshm.
Lexo edheTrump telefonon Netanyahun, në tryezë planet për sulme të reja ndaj Iranit: Mund të shkatërrojmë brenda 10 minutash…Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve në Iran, Tasnim raportoi se sipas të dhënave fillestare, dy raketa goditën ishullin Keshm, teksa agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, duke cituar dëshmitarë lokalë, raportoi se dy predha kishin goditur zonën e Suzës, pasi ishte dëgjuar një aeroplan duke fluturuar mbi atë zonë.
Mediat iraniane pretenduan po ashtu se mbrojtja ajrore e vendit kishte penguar dhe shkatërruar një dron amerikan MQ-1 Predator mbi ishullin Keshm.
Ndërkaq, presidenti Trump tha se Uashingtoni po vazhdon kontaktet me Teheranin. Duke folur për gazetarët në Florida, ai deklaroi: “Ne po bisedojmë me Iranin. Kemi qenë në kontakt. Ata, me dëshpërim, duan një marrëveshje”.
Ishulli strategjik Keshm ndodhet në hyrje të Ngushticës së Hormuzit, që është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e energjisë.
Në këtë ishull ndodhen një objekt i madh nëntokësor për raketa, një bazë detare dhe një impiant i madh për shkripëzimin e ujit, sipas gazetës The Wall Street Journal. Ishulli ka qenë në shënjestër të forcave amerikane në fazat e mëhershme të luftimeve, teksa zyrtarët amerikanë kanë diskutuar edhe mundësinë e marrjes së kontrollit të tij.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit në fund të shkurtit. Presidenti Trump vazhdimisht ka përsëritur se qëllimi kryesor i fushatës ushtarake amerikane është që Iranit t’i pamundësohet që të posedojë armë bërthamore./ REL
Më shumë për këtë
Trump kërcënon Iranin me sulme të reja: Do ta mësoni shumë shpejt vendimin tim, ndoshta do ta shkatërroj si vend!Lajme · 2 ditë më parë
Trump ka një rival të ri në horizont: 39-vjeçari që po çmend demokratët dhe po trazon politikën amerikaneLajme · 3 ditë më parë
Trump humbi zgjedhjet e mesmandatit, reagon Irani: Amerikanët i thanë ‘JO’ luftësLajme · 3 ditë më parë
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












