Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Kush e mbrojti Radoiçiçin? Dosja e Banjskës mund të tronditë majat e pushtetit në Serbi

Kush e mbrojti Radoiçiçin? Dosja e Banjskës mund të tronditë majat e pushtetit në Serbi

Arrestimet e zyrtarëve policorë dhe personave të lidhur me ish-pushtetin, pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet e 25 tetorit, kanë rikthyer në vëmendje çështjen e pandëshkueshmërisë dhe ndikimit politik mbi drejtësinë në Serbi. Ndërsa prokurorët po rishqyrtojnë raste që prej kohësh nuk kanë marrë zgjidhje, dosja e sulmit të armatosur në Banjskë dhe përgjegjësia e Milan Radoiçiçit mbeten ndër provat më të rëndësishme për pavarësinë e institucioneve serbe…

Pa e marrë ende zyrtarisht pushtetin, Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet me premtimin për luftimin e korrupsionit dhe çlirimin e institucioneve nga ndikimi politik, përballet me një zhvillim që mund të përcaktojë besueshmërinë e zotimeve të saj.

Prokurorët kanë nisur të rishqyrtojnë dosje të pazgjidhura, ndërsa autoritetet kanë arrestuar rreth 20 zyrtarë policorë, përfshirë drejtues të lartë të strukturave të sigurisë.

Megjithatë, përtej arrestimeve të deritanishme, mbetet një pyetje me peshë të veçantë politike: a do të shtrihen hetimet edhe në rastet ku dyshohet për lidhje ndërmjet strukturave shtetërore, aparatit të sigurisë dhe personave të afërt me Aleksandar Vuçiçin?

Lexo edheKurti mesazh të prerë nga Parisi për udhëheqjen e re serbe: Pranoni realitetin, Kosova është shtet i pavarur! Dorëzoni Radoiçiçin

Në këtë kontekst, rasti i Banjskës dhe roli i Milan Radoiçiçit përbëjnë një nga sfidat kryesore për drejtësinë serbe.

Institucionet nisin të veprojnë pas humbjes së SNS-së

Dy javët e para pas zgjedhjeve në Serbi u karakterizuan nga një valë arrestimesh nën dyshimet për korrupsion, shpërdorim të detyrës zyrtare, manipulim zgjedhor dhe dhunë ndaj studentëve.

Një nga rastet më të rëndësishme është arrestimi i Marko Kriçakut, ish-drejtues i Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara, së bashku me nëntë pjesëtarë të tjerë të kësaj strukture.

Prokuroria i dyshon për keqtrajtim dhe torturim të studentëve dhe qytetarëve në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, më 14 gusht 2025.

Studentët kishin raportuar dhunë fizike dhe kërcënime gjatë ndalimit të tyre pas protestave kundër qeverisë. Prokuroria ka deklaruar se gjatë hetimeve kishte hasur pengesa nga policia dhe institucionet shtetërore, përfshirë refuzimin për të dorëzuar pamjet e kamerave të sigurisë në garazhin e ndërtesës qeveritare.

Sipas prokurorisë, institucionet përgjegjëse kishin pritur derisa të përfundonte afati 30-ditor i ruajtjes automatike të regjistrimeve, megjithëse hetuesit i kishin kërkuar pamjet vetëm gjashtë ditë pas ngjarjes.

Një tjetër rast lidhet me vdekjen e Dalibor Dragijeviçit, më 7 prill 2024, gjatë kohës që ndodhej nën ndalimin policor në Bor. Autoritetet kanë arrestuar tetë pjesëtarë të Policisë Kriminale nën dyshimet për keqtrajtim dhe torturë.

Prokuroria kishte lëshuar më herët urdhra arresti ndaj të dyshuarve, por Sektori i Kontrollit të Brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk i kishte ekzekutuar.

Këto raste kanë nxjerrë në pah jo vetëm dyshimet për veprime të kundërligjshme të zyrtarëve, por edhe pengesat institucionale që, sipas pretendimeve të prokurorëve, kishin vështirësuar zhvillimin e hetimeve.

Prokurori i lartë publik, Goran Iliq, ka deklaruar se pengesat kishin ardhur nga policia, prokuroria dhe gjykatat. Sipas tij, disa dosje kishin mbetur pa u trajtuar, ndonëse ekzistonin mundësitë për të zhvilluar procedurat përkatëse.

Dy ditë pas zgjedhjeve, Prokuroria e Lartë Publike formoi një komision prej pesë anëtarësh për të shqyrtuar punën e të gjitha 87 prokurorive në Serbi.

Kryeprokurorja Zagorka Dollovac deklaroi gjithashtu se pas zgjedhjeve ishin larguar pengesat politike dhe institucionale që më parë kishin kufizuar veprimtarinë e prokurorive.

Megjithatë, prova më e rëndësishme e pavarësisë së këtyre institucioneve do të jetë mënyra se si do të trajtojnë çështjet që prekin drejtpërdrejt interesat e ish-pushtetit.

Banjska, dosja që ende nuk ka marrë epilog në Serbi

Një nga këto çështje është sulmi i armatosur i 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjeve humbën jetën edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.

Milan Radoiçiç, në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe, mori përgjegjësinë për organizimin e grupit që kreu sulmin.

Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së rastit dhe pranimit të përgjegjësisë nga vetë Radoiçiçi, autoritetet serbe ende nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj tij.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka konfirmuar se hetimet ndaj Radoiçiçit vazhdojnë.

Ato lidhen me dyshimet për organizim të një grupi kriminal, prodhim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike.

Një element që e bën çështjen edhe më të ndjeshme është deklarimi i mëhershëm i prokurorit Nenad Stefanoviq, i cili kishte paralajmëruar ngritjen e aktakuzës në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025.

Kjo nuk ndodhi dhe autoritetet nuk kanë bërë të ditur se çfarë kanë përcaktuar konkretisht hetimet.

Ndërkohë, pas marrjes në pyetje në Beograd, Radoiçiçi nuk qëndroi në paraburgim.

Gjykata vendosi ndaj tij masa kufizuese, përfshirë dorëzimin e pasaportës, ndalimin e largimit nga Serbia pa leje gjyqësore dhe detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në polici.

Çështja mori një dimension tjetër politik kur Radoiçiçi u shfaq në tubimin parazgjedhor të SNS-së në Kragujevc, gjatë fushatës së Aleksandar Vuçiçit.

Prania e tij në një aktivitet të partisë që në atë kohë drejtonte pushtetin, ndërkohë që hetimet për Banjskën vazhdonin, ngriti pikëpyetje mbi marrëdhëniet e tij me strukturat politike në Serbi.

Më 31 tetor, një komision i Prokurorisë së Lartë Publike nisi shqyrtimin e rrethanave që çuan në mosmbajtjen e Radoiçiçit në paraburgim pas marrjes së tij në pyetje në vitin 2023.

Sipas informacioneve të paraqitura, komisioni po shqyrton edhe veprimet e prokurorit të atëhershëm, Nikola Panteliq, i cili kishte kërkuar paraburgimin vetëm mbi bazën e rrezikut të arratisjes, pa përfshirë rrethana të tjera që mund ta justifikonin këtë masë.

Ky zhvillim ka rëndësi, pasi shqyrtimi nuk kufizohet më vetëm te përgjegjësia e personit që ka pranuar organizimin e sulmit, por përfshin edhe mënyrën se si institucionet serbe e kanë trajtuar dosjen që nga fillimi.

A do të hetohet edhe përgjegjësia e strukturave shtetërore?

Rasti i Banjskës nuk kufizohet te përgjegjësia penale e Milan Radoiçiçit dhe pjesëtarëve të grupit të armatosur.

Institucionet e Kosovës e cilësojnë sulmin si akt terrorist dhe kanë deklaruar vazhdimisht se ai ishte planifikuar, financuar dhe organizuar me përfshirjen e shtetit serb.

Beogradi, nga ana tjetër, ka mohuar se kishte dijeni për praninë dhe veprimtarinë e Radoiçiçit dhe grupit të armatosur në Kosovë.

Aleksandar Vuçiç e ka përshkruar në disa raste Radoiçiçin jo si kriminel, por si një person që luftonte për të drejtat e serbëve në Kosovë.

Pikërisht këtu qëndron një nga sfidat më të mëdha për institucionet serbe pas ndryshimit të pushtetit.

Nëse hetimet kufizohen te zyrtarët policorë dhe administrativë, duke shmangur rastet që mund të çojnë drejt niveleve më të larta politike dhe të sigurisë, premtimi për çlirimin e drejtësisë nga ndikimi politik do të mbetet i papërmbushur.

Dosja e Banjskës ka gjithashtu një dimension ndërkombëtar. Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht që personat përgjegjës për sulmin të përballen me drejtësinë.

Mungesa e një aktakuze në Serbi, më shumë se tre vjet pas ngjarjes, mbetet një nga çështjet e pazgjidhura në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Prova e vërtetë për pushtetin e ri

Lista Studentore ka mbështetur një pjesë të rëndësishme të programit të saj politik te lufta kundër korrupsionit, krimit dhe pandëshkueshmërisë.

Megjithatë, ndryshimi i pushtetit nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e mënyrës se si funksionojnë institucionet.

Arrestimet e para përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm, por numri i personave të ndaluar nuk mund të shërbejë si tregues përfundimtar i funksionimit të drejtësisë.

Rezultati do të varet nga ngritja e aktakuzave, zhvillimi i proceseve gjyqësore të pavarura dhe vendimet përfundimtare të gjykatave.

Njëkohësisht, mbetet të shihet nëse hetimet do të përfshijnë edhe zyrtarë që kanë ndikuar në trajtimin e dosjeve të ndjeshme gjatë 14 viteve të qeverisjes së SNS-së.

Nëse komisionet e reja do të shqyrtojnë edhe përgjegjësinë e prokurorëve dhe zyrtarëve që dyshohet se kanë penguar procedurat, dosja e Banjskës do të jetë një nga rastet ku kjo qasje mund të provohet në praktikë.

Për Kosovën, pyetja është më konkrete: a do të kalojë Serbia nga një hetim formal ndaj Milan Radoiçiçit në një proces të mirëfilltë gjyqësor, që do të përcaktojë përgjegjësinë e tij dhe të personave të tjerë të përfshirë në sulmin e armatosur?

Përgjigjja do të tregojë nëse largimi i SNS-së nga pushteti do të sjellë vetëm ndryshimin e drejtuesve të institucioneve serbe, apo edhe një shkëputje reale nga praktikat e pandëshkueshmërisë që kanë karakterizuar periudhën e qeverisjes së Vuçiçit. /Përshtatur nga The Geopost/

Më shumë për këtë

Tronditet tregu global i teknologjisë, triliona dollarë humbje pas fitores së demokratëve në SHBALajme · 5 ditë më parëHumbja në zgjedhje trondit republikanët, aleatët i kërkojnë Trump të ndryshojë kurs: Pastro shtëpinëLajme · 5 ditë më parëArrestohet pronari i “Alta Bankës” në Serbi, Davor MacuraRajon · 1 javë më parë

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme