Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Zëvendësdrejtori i Kadastrës, Amet Ziberi, i kundërpërgjigjet Faton Ahmetit: Në dy konkurset e fundit janë punësuar 8 shqiptarë

Zëvendësdrejtori i Kadastrës, Amet Ziberi, i kundërpërgjigjet Faton Ahmetit: Në dy konkurset e fundit janë punësuar 8 shqiptarë

Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, Amet Ziberi, ka reaguar ndaj deklaratave të Faton Ahmetit nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), lidhur me punësimet dhe përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion.

Ziberi i ka cilësuar deklaratat e Ahmetit si të pavërteta dhe tendencioze, duke theksuar se gjendja faktike në institucion është ndryshe nga ajo që, sipas tij, po paraqitet në opinionin publik.

Sipas Ziberit, vetëm në dy konkurset e fundit të realizuara në Agjencinë e Kadastrës së Patundshmërive janë pranuar në punë tetë shqiptarë, ndërsa përfaqësimi etnik brenda institucionit është në përputhje me përqindjen e përfaqësimit të shqiptarëve.

Zëvendësdrejtori i Kadastrës ka theksuar se një nivel i tillë i përfaqësimit nuk ishte arritur gjatë periudhës kur BDI-ja ishte pjesë e pushtetit.

Ai ka kërkuar nga përfaqësuesit e BDI-së që, përpara se të adresojnë akuza publike, të analizojnë rezultatet dhe bilancin e tyre gjatë drejtimit të institucioneve.

“Para se të shpërndajnë akuza dhe të manipulojnë opinionin, le t’i shikojnë faktet dhe bilancin e tyre. Qytetarët meritojnë të vërtetën, jo trillime, mashtrime dhe propagandë politike”, është shprehur Ziberi në reagimin e tij.

Ai ka shtuar se punësimet dhe përfaqësimi i drejtë në institucionet shtetërore duhet të vlerësohen mbi bazën e rezultateve konkrete dhe jo përmes deklaratave politike.

“Punësimet dhe përfaqësimi nuk maten me deklarata politike, por me fakte dhe rezultate konkrete”, ka theksuar Ziberi.

Ky reagim vjen në kuadër të përplasjeve politike ndërmjet përfaqësuesve të VLEN-it dhe BDI-së lidhur me punësimet dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Pretendimet e Ziberit për numrin e punësimeve dhe nivelin e përfaqësimit etnik mbeten për t’u konfirmuar përmes të dhënave zyrtare të institucionit.

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme