Shkruan: Amina Nuraj
Dje, gjatë udhëtimit me autobus nga Mitrovica për në Novi Pazar, më kishte zënë gjumi. Kur më zgjuan, pashë shoferin që më tha: „Çohu, se policia po të thërret ta hapësh valixhen!“
Në fillim mendova se ishte policia e Kosovës, sepse në kufi kam shumë shokë policë dhe sapo kaluam kufirin e Kosovës, i dorëzuam dokumentet edhe ndoshta kanë dashur të bëjnë hajgare me mua.Unë isha ende e përgjumur, sepse më kishte zënë gjumi në autobus.
Madje, e përgjumur, fillova t’u flisja me zë të lartë në shqip, duke menduar se ishte ndonjëri prej tyre. Por shoferi më tha: „Shuj, jemi në kufirin e Serbisë!“
E kuptova menjëherë çfarë më priste, por nuk pata frikë. Fatkeqësisht, jam mësuar tashmë me situata të tilla.
Nga 30 pasagjerë dhe 30 valixhe, policia serbe e dinte saktësisht se cila ishte e imja. I pyeta shoferët nëse kishin treguar se cila valixhe ishte e imja, por të dytë u betuan se nuk kishin thënë asgjë.
Gjatë kontrollit, polici qëndronte pas shpinës sime. I thashë: „I nderuar, një polici nuk i ka hije të qëndrojë pas shpinës së një gruaje. Ju lutem, tregoni pak më shumë profesionalizëm dhe dilni përpara.“
Pas kontrollit të imtësishëm të çdo cepi të valixhes, më në fund na lejuan të vazhdonim rrugën.
Por pyetja mbetet: Si e dinte policia serbe se cila ishte valixhja ime, kur në autobus kishte edhe 29 të tjera?
Valixhet nuk kanë emra dhe mbiemra të shkruar mbi to. Kjo më shton dyshimet se unë dhe bashkëshorti im mund të jemi nën vëzhgim nga njerëz që bashkëpunojnë me strukturat serbe në Kosovë madje edhe kur largohemi nga dera e shtëpisë.
Nuk po bëj akuza pa prova, por rastësi të tilla ngrenë pikëpyetje serioze. Pas 14 vitesh veprimtari kombëtare, nuk është hera e parë që përballem me situata që më bëjnë të dyshoj se dikush po interesohet tepër për çdo lëvizje timen.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












