Presidenti turk Erdogan ka akuzuar Izraelin për përkeqësimin e krizës humanitare në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se afrimi i dimrit po e rëndon edhe më shumë situatën e popullsisë palestineze.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë izraelite, duke deklaruar se vrasjet, uria dhe vuajtjet e civilëve palestinezë vijojnë çdo ditë në Gaza, ndërsa komuniteti ndërkombëtar, sipas tij, nuk po reagon mjaftueshëm.
Gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Ankara, Erdogan e cilësoi situatën në enklavën palestineze si një katastrofë humanitare dhe akuzoi Izraelin se e ka shndërruar Gazën në atë që ai e quajti “kampi më i madh i përqendrimit në botë”.
“Masakra, vrasje të shënjestruara, uri dhe shumë të tjera vazhdojnë të përsëriten çdo ditë para syve të botës në Gaza, të cilën qeveria izraelite e ka shndërruar në kampin më të madh të përqendrimit në botë”, deklaroi Erdogan.
Lexo edheErdoğan: Masakrat dhe uria vazhdojnë çdo ditë në Gaza, ndërsa bota vëzhgonKreu i shtetit turk paralajmëroi se gjendja e banorëve të Gazës rrezikon të përkeqësohet më tej me uljen e temperaturave. Ai përshkroi kushtet e vështira në të cilat jetojnë familjet e zhvendosura, veçanërisht fëmijët, të cilët përballen me të ftohtin, përmbytjet dhe mungesën e strehimit të përshtatshëm.
Sipas Erdoganit, kufizimet e vendosura nga Izraeli kanë ndikuar drejtpërdrejt në rëndimin e situatës humanitare. Ai kritikoi gjithashtu vendet që deklarojnë se mbrojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut, duke i akuzuar për hipokrizi në qëndrimin e tyre ndaj zhvillimeve në Gaza.
Presidenti turk u kërkoi vendeve myslimane të mos mbështeten vetëm te reagimi i fuqive të tjera ndërkombëtare, por të ndërmarrin hapa konkretë për të shtuar presionin diplomatik ndaj Izraelit dhe për të përshpejtuar dërgimin e ndihmave.
“Në vend që të mbështetemi vetëm te të tjerët, ne si myslimanë duhet të veprojmë dhe të sigurohemi që të ushtrohet presion më i madh ndaj Izraelit”, u shpreh ai.
Erdogan bëri të ditur se Turqia është e gatshme të dërgojë kontejnerë për strehimin e banorëve të Gazës, ndërsa po ndërmerr hapa të tjerë për të garantuar mbështetje humanitare përpara përkeqësimit të kushteve të dimrit.
“Jemi të gatshëm të dërgojmë kontejnerë për vëllezërit dhe motrat tona në Gaza. Gjithashtu, po ndërmarrim hapat e nevojshëm lidhur me ndihmën humanitare”, tha presidenti turk.
Ai theksoi se Ankaraja do të vijojë përpjekjet në mbështetje të palestinezëve, pavarësisht qëndrimit të komunitetit ndërkombëtar.
“Edhe nëse të tjerët mbyllin sytë dhe veshët, ne nuk do të heshtim përballë shtypjes në Gaza”,deklaroi Erdogan, duke shtuar se Turqia do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësitë e saj humanitare edhe nëse mbetet e vetme në këtë përpjekje.
Gjatë fjalës së tij, presidenti turk u ndal edhe te zhvillimet në arenën ndërkombëtare, duke paralajmëruar se bota po kalon një periudhë pasigurie të thellë, ndërsa rivalitetet mes fuqive globale po bëhen gjithnjë e më të ashpra.
“Jemi në mes të një procesi të dhimbshëm, në të cilin rendi i vjetër botëror po shembet, askush nuk e di se çfarë do ta zëvendësojë dhe prapa skenave po zhvillohet një konkurrencë më intensive dhe më shkatërruese sesa ajo që pasqyrohet në media dhe në ekrane”, u shpreh Erdogan.
Duke iu referuar luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe tensioneve në Gjirin Persik, ai paralajmëroi se konfliktet dhe përplasjet gjeopolitike po shtojnë rreziqet për sigurinë ndërkombëtare.
“Ndërsa lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon me humbje nga të dyja palët, tensionet po rriten sërish në Gjirin Persik me dislokimin e aeroplanmbajtëseve”,përfundoi presidenti turk.
Më shumë për këtë
Tronditje në rajon: 6 persona nga Shkupi dhe Kumanova dyshohen për planifikimin e vrasjes së një biznesmeni izraelit në Greqi!Maqedoni · 1 ditë më parë
BE i kërkon Izraelit akses që ndihmat humanitare të kalojnë pa pengesa në GazaLajme · 1 javë më parë
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












