Millosh Gjuriçkoviq (56), të cilin shërbimet malazeze të sigurisë prej vitesh e lidhnin me klanin famëkeq ballkanik kriminal „Shkaljarski“, është vrarë mëngjesin e sotëm në vendin Bajicë, në afërsi të Cetinjes, Mali i Zi.
Informacionin për vrasjen e ka konfirmuar Drejtoria e Policisë së Malit të Zi.
Gjuriçkoviq prej vitesh ishte i njohur për policinë dhe organet e drejtësisë, ndërsa mediat malazeze e përshkruanin si drejtues të dyshuar të degës së Cetinjes të klanit „Shkaljarski“, një organizatë kriminale e lidhur me përplasjet e përgjakshme shumëvjeçare në vend.
Është interesante se Gjuriçkoviq më 22 shtator të këtij viti ishte liruar me vendim të shkallës së parë nga akuzat se së bashku me persona të tjerë kishte organizuar një grup kriminal që dyshohet se planifikonte kontrabandën e drogës me vlerë rreth pesë milionë euro.
Gjykata e Lartë në Podgoricë atëherë vlerësoi se provat e paraqitura nuk i vërtetojnë akuzat e Prokurorisë Speciale të Shtetit. Së bashku me të ishin liruar edhe Savo Lipovina, Ivan Jovanoviq dhe të akuzuar të tjerë.
Sipas aktakuzës, grupi dyshohet se ishte formuar në vitin 2017, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, mbajtjen e paligjshme të armëve dhe kryerjen e veprave të rënda penale.
Emri i Gjuriçkoviqit ishte përmendur edhe në hetimin për vrasjen e Shqepan Roganoviqit në Herceg Novi në vitin 2020. Hetuesit atëherë dyshonin se ai e kishte ndihmuar autorin pas vrasjes, por Gjuriçkoviq i kishte mohuar dyshimet.
Në prill të vitit 2023 ai kishte përfunduar sërish në paraburgim hetimor, pasi Gjykata e Lartë pranoi ankesën e Prokurorisë Speciale të Shtetit.
Për momentin nuk janë bërë të ditura detajet se në çfarë mënyre është kryer vrasja e mëngjesit të sotëm dhe as kush qëndron pas likuidimit.(INA)

Komentet
Bëhu i pari që komenton.











