Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka rikthyer një moment nga e kaluara e tij, duke kujtuar se para 20 vjetësh kishte qenë në pikën kufitare të Qafë Thanës për të sjellë bustin e Skënderbeut në Shkup, përcjell tetova1
Në një postim me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, Mexhiti ka theksuar se rikthimi i tij në të njëjtin vend, kësaj radhe për promovimin e sistemit të përbashkët të kontrolleve kufitare “One Stop Shop”, ka një domethënie të veçantë.
Ai ka kujtuar vështirësitë që ishin paraqitur atëherë për lejimin e hyrjes së bustit të Skënderbeut në vend, ndërsa sot, së bashku me kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Edi Rama, zëvendëskryeministrin Bekim Sali dhe bashkëkryetarin e VLEN-it, Bilall Kasami, po promovojnë një marrëveshje që synon lehtësimin e kalimit të qytetarëve në kufirin mes dy shteteve.
Mexhiti ka bërë të ditur se zbatimi i sistemit nis në Qafë Thanë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe pikat kufitare Bllatë, Gorica, Tushemisht dhe Xhepisht–Trebisht.
Lexo edheMbi 1,200 raste të kalimit ilegal të kufirit, zbulohen edhe rrjete të trafikimit të emigrantëveAi ka theksuar gjithashtu se fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje pikërisht më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit, i jep kësaj dite një domethënie të veçantë.
Postimi i plotë:
Para njëzet vjetësh, isha në Qafë Thanë për ta sjellë në Shkup bustin e Skënderbeut. Sot jam përsëri këtu, për ta bërë më të lehtë kalimin e këtij kufiri.
Atëherë, autoritetet nuk kishin dhënë leje që busti i Skënderbeut të hynte në vend. Na u desh të këmbëngulnim që ta sillnim përmes Qafë Thanës dhe ta vendosnim në Shkup, në sheshin që sot mban emrin e tij.
Pra, ajo që atëherë dukej e pamundur, sot na duket krejt e natyrshme.
Prandaj kthimi im sot në këtë pikë kufitare ka një domethënie të veçantë. Bashkë me kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Edi Rama, me zëvendëskryeministrin Bekim Sali dhe bashkëkryetarin e VLEN Bilall Kasamin po përurojmë sistemin “One Stop Shop”. Në të njëjtin vend ku dikur na duhej të këmbëngulnim që të kalonte busti i Skënderbeut, sot dy shtetet po zbatojnë një marrëveshje që ua lehtëson kalimin qytetarëve. Kontrollet kufitare do të kryhen në një vend të përbashkët, me një ndalesë të vetme.
Për mua, këto dy ditë, njëzet vjet larg njëra-tjetrës, tregojnë sa shumë ka ndryshuar mënyra si i zgjidhim çështjet që kanë rëndësi për qytetarët. Atëherë na duhej të përballeshim me pengesa edhe për ta vendosur një figurë të historisë sonë në një shesh të Shkupit. Sot ulemi në të njëjtën tryezë, marrim vendime të përbashkëta dhe i zbatojmë në paqe, dhe me respekt për të drejtat e secilit.
Me VLEN-in në qeverisje, pas Kosovës, po e shtrijmë këtë model edhe me Shqipërinë. Zbatimi nis sot në Qafë Thanë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe Bllatën, Goricën, Tushemishtin dhe Xhepisht–Trebishtin. Përgjegjësia jonë është ta çojmë deri në fund këtë punë, që qytetarët ta ndiejnë ndryshimin sa herë që kalojnë kufirin.
Dhe po e nisim pikërisht më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit. Në Manastir, mbi një shekull më parë, shqiptarë nga vise të ndryshme u ulën bashkë dhe i dhanë shqipes një alfabet të përbashkët. Me të kemi mësuar të lexojmë e të shkruajmë në të dyja anët e këtij kufiri. Sot, po ua shkurtojmë pritjen në kufi njerëzve që e flasin atë gjuhë kur mbërrijnë te familja, te miqtë, te njerëzit e tyre. Për mua, kjo është mënyra më e mirë për ta shënuar këtë 22 Nëntor.”, ka shkruar Mexhiti/tetova1.mk

Më shumë për këtë
Mexhiti: Çairi bëhet pikë takimi e studentëve shqiptarë përmes Universiadës Mbarëkombëtare “Çair 2026”Maqedoni · 3 ditë më parë
Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti takohen me Albin Kurtin: Diskutojnë zhvillimet politike dhe bashkëpunimin rajonalMaqedoni · 1 ditë më parë
Mexhiti: BDI i hapi rrugë depërtimit të “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut përmes politikës, nëntokës dhe bankaveMaqedoni · 2 javë më parë
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












