Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

BDI: Vetëm 80 nga 817 bursat për nxënës u ndanë për shqiptarët

BDI: Vetëm 80 nga 817 bursat për nxënës u ndanë për shqiptarët

BDI ka reaguar lidhur me rezultatet e konkursit për ndarjen e bursave për nxënës për vitin shkollor 2026/2027, duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e ulët të nxënësve shqiptarë dhe duke kërkuar llogaridhënie nga Ministria e Arsimit dhe zëvendësministri Driton Sulejmani.

Sipas BDI-së, nga gjithsej 817 bursa të ndara, vetëm 80 u janë akorduar nxënësve shqiptarë, që përbën më pak se 10 për qind të numrit të përgjithshëm të përfituesve.

Në kumtesën e saj, BDI thekson se situata është edhe më shqetësuese në disa kategori të veçanta. Në kategorinë e nxënësve të talentuar, nga 50 bursa të ndara nuk ka përfituar asnjë nxënës shqiptar, ndërsa në kategorinë e artistëve të talentuar, vetëm katër nxënës shqiptarë kanë përfituar bursë nga gjithsej 150 të ndara.

“Nga 817 bursa të ndara, vetëm 80 nxënës shqiptarë”, thuhet në reagimin e BDI-së, e cila kërkon që VLEN-i dhe zëvendësministri Driton Sulejmani të japin përgjegjësi për atë që e cilëson si përfaqësim të pabarabartë.

BDI kërkon sqarim publik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhur me kriteret, procedurat dhe mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve, si dhe nëse është analizuar përfaqësimi sipas përkatësisë etnike.

“VLEN nuk mund të mjaftohet me pozitat qeveritare dhe deklaratat për përfaqësim, ndërkohë që rezultatet konkrete në një fushë kaq të rëndësishme si arsimi kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie”, thekson BDI.

Partia kërkon gjithashtu publikimin e të dhënave të plota për aplikimet, pikët e fituara dhe përfituesit sipas kategorive, duke vlerësuar se nxënësit shqiptarë duhet të kenë mundësi të barabarta për të përfituar nga mbështetja institucionale.

“Arsimi nuk duhet të jetë fushë ku nxënësit shqiptarë mbeten të nënpërfaqësuar”, përfundon reagimi i BDI-së. Flaka

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme