Kryeministri Hristijan Mickoski nuk e përjashton mundësinë që kryetarja e Partisë Liberal Demokratike dhe deputetja Monika Zajkova, të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës, përcjell TV21. Kjo pasi Zajkova së fundmi vendosi që të largohet nga koalicioni me LSDM-në.
“Secili që i ndanë dhe mbështet politikat e kësaj qeverie mund të kyçet dhe t’i mbështesë këto politika. A do të jenë zyrtarisht pjesë e koalicionit qeverisës, ende nuk kam folur në kuadër të koalicionit, as në kuadër të partisë, gjithsesi është proces që do të duhet të fitojë mbështetjen e të gjithë aktorëve, nuk mjafton se çfarë thotë Hristijan Mickoskit. Me rëndësi është të shohim çfarë thonë partnerët e koalicionit, çfarë thotë koalicioni i brendshëm i partisë, që të mund të vijmë deri në një qëndrim përfundimtar, por çdo mbështetje e çdo deputeti që i mbështet politikat e kësaj qeverie, është e mirëseardhur në suaza të votimit në Kuvend”, tha Mickoski.