“Nuk ka autobus, pret 30-40 minuta dhe më e favorshme është me tren”, tha një qytetar.
Ky qytetar, për shkak të kaosit me autobusët në qytet, ka vendosur ta ndryshojë mënyrën e transportit. Deri në Draçevë, e cila është rreth 12 kilometra larg qendrës së Shkupit, shkon dhe kthehet prej pune me tren.
Ky ishte një rast i veçantë i udhëtarëve që shfrytëzojnë linjat e hekurudhore për transport të udhëtarëve. Alsat, vizitoi stacionin hekurudhor në Shkup, pamjet e të cilës flasin vetë. Këtu, koha ka ndaluar, të cilën edhe fizikisht nuk e mat ora e stacionit, që rri e prishur. Me vite nuk është investuar në modernizimin e stacionit, i cili mbase është pasqyra më e kujdesit të shtetit për këtë sektor shumë të rëndësishëm. Ashensorët nuk punojnë, ashtu sikur edhe shkallët elektrike dhe kjo, u pamundëson qasje personave me nevoja të veçanta për të përdorur transportin hekurudhor të udhëtarëve.
Udhëtarët, shprehen se nuk janë të kënaqur me trenat pasi përveç se vonohen edhe janë të ngadaltë, ndërkaq tani gjatë kohës së dimrit nuk kanë ngrohje të mjaftueshme.
“Sepse është shumë i ngadalshëm. Në çfarë relacioni shkoni? Manastir Shkup dhe anasjelltas. Për sa ora shkon prej Shkupi në Manastir? Shkruan se për tre e gjysmë duhet, por zakonisht është katër-katër e gjysmë. Katër e gjysmë është situata më e mirë. A vonohet ndonjëherë treni? Po shpesh”, tha një udhëtar.
“Ajo që shkruan se do të arrijë për tre orë e gjysmë, të arrijë për tre e orë e gjysmë, të mos vonohet. Dhe për sa për shembull arrin? Katër orë, ndonjëherë ndodhë për katër orë e gjysmë”, shtoi një udhëtar.
“Ka shumë probleme. Cilat janë ato për shembull? Nuk ka trena të rregullt. Ajo është kryesorja? Po”, theksoi një udhëtar.
Për momentin në qarkullim për transport të udhëtarëve, janë 2 palë automjetesh që udhëtojnë në relacionin Shkup-Manastir-Shkup, një në relacionin Shkup-Gjevgjeli-Shkup dhe dy trena lokalë të cilët udhëtojnë Shkup-Veles-Shkup. Në ndërkohë, jashtë funksionit janë linjat Shkup-Kërçovë-Shkup dhe Shkup-Koçan-Shkup. Numri i trenave nuk është i mjaftueshëm. Zllatko Pecakov, udhëheqës i Sektorit të Kontrollit në Transportin e Udhëtarëve, kujton kohërat më të mira, kur ka filluar të punojë në këtë sektor.
“Ja unë mund të them, kur u unë u punësova, diku në vitin 89-të, në orarin e qarkullimit kishte mbi 20 trena. Planifikojmë ta risjellim relacionet të cilat janë shfuqizuar, nuk kanë qarkulluar për arsye të caktuara. Mirëmbajtja e atyre garniturave, të cilat janë para 10 deri në 12 vjet është lënë pas dore. Tani shohim të bëjmë atë që e kemi gjetur që ta vëmë në funksion që të mundemi këtë orar qarkullimi edhe para klientëve edhe para njerëzve që udhëtojnë shpesh”, tha Zllatko Pecakov, udhëheqës i Sektorit të Kontrollit në Transportin e Udhëtarëve.
Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 699 kilometra hekurudhë. Për herë të fundit, parku i trenave është rinovuar me 6 trena nga Kina në vitin 2015-të, katër prej të cilave dizel dhe 2 elektrik. Ndër vite, shteti ka hasur në probleme me servisimin e trenave kinez./Alsat.mk