Të mërkurën në Ligën e parë të Maqedonisë së Veriut do të luhen ndeshjet e javës së 16-t, ndërsa në qendër të vëmendjes do të jetë derbi shqiptar Shkëndija – Shkupi, që luhet në Tetovë, njofton Telegrafi.
Kjo ndeshje merr më shumë rëndësi nga shkaku se pas shumë viteve do të jenë në një përballje direkte të dy ekipeve dhe dy tifo grupet e Shkëndijës dhe Shkupit, “Ballistët” në këtë rast si nikoqir dhe “Shvercerat” që do të realizojnë udhëtimin në Tetovë. Kujtojmë se dy tifo grupet kishin marrëdhënie të shkëlqyera deri në një moment kur kjo u prish pas mosmarrëveshjeve që patën gati për dhjetë vite.
Ballistët – Tetovë
Edhe pse para dy viteve dy tifogrupet kishin shtrirë dorën e pajtimit, nuk kishte asnjë udhëtim në asnjërin realicion Shkup – Tetovë. Dhe kur nesër luhet ndeshja përkoi të jetë në festat e Nëntorit, ndërsa “Ballistët” iu kanë bërë thirrje “Shvercerave” para disa ditësh që të udhëtojnë në Tetovë, duke shkruar në faqen e tyre në Facebook: “Andaj në rast se ka dëshirë tifo grupi mysafir të udhëtojë në mënyrë të organizuar, ka kushte që të sistemohen në tribunën përballë Marshin Beqirit. Kërkojmë edhe nga klubi jonë që të pranojë tifozët mysafir, në rast se të njëjtët dërgojnë kërkesë për udhëtim”.
Këtë e ka mirëpritur edhe tifo grupi nga Shkupi, të cilët po me shkrim në faqen e tyre në Facebook kanë njoftuar se nesër do të jenë prezent në Tetovë. “Të mërkurën në Tetovë për të festuar festat e Nëntorit. Nisemi nga parku i Çairit në ora 11:00”, kanë shkruar “Shvercerat”.
“Shvercerat” – Shkup
Natyrisht që ky lajm i ka gëzuar të gjithë shqiptarët, të cilët kanë komentuar pozitivisht këtë ribashkim të tifo grupeve shqiptare duke thënë se ky bashkim i gjen shumë të bashkuar para festave të nëntorit, dhe u jep fund njëherë e përgjithmonë ndarjeve që ishin të panevojshme.