Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali ka pritur në Tiranë kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Spiropali shkruan se me Ahmetin kanë biseduar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në RMV.
“Me mikun e mirë, politikanin e urtë, z. Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së, personalitet i njohur i shqiptarisë, diskutuam për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilat janë e duhet të jenë të pakthyeshme; angazhimin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare dhe të shqiptarëve në vendin mik dhe fqinj, për të ndërtuar një shoqëri dhe një vend tërësisht demokratik, me kohezion social dhe barazi për të gjithë qytetarët; angazhimin e faktorit shqiptar në përshpejtimin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian”, shkroi Spiropali.