Trendy

Frika nga lufta ‘paralizon’ Hormuzin, anijet braktisin korridorin më të rëndësishëm të naftës

Para 3 orë

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit po ndikojnë drejtpërdrejt në një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë botërore, ndërsa gjithnjë e më pak anije po kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Sipas një raporti të Bloomberg, që i referohet të dhënave të shërbimeve të gjurmimit detar, kompanitë e transportit po shmangin kalimin nga frika e një përshkallëzimi të ri ushtarak.

Të dhënat tregojnë se të dielën vetëm 12 anije përshkuan Ngushticën e Hormuzit në të dy drejtimet, më pak se gjysma e 28 kalimeve të regjistruara të shtunën, ditë kur ndodhi një nga sulmet ndaj anijeve cisternë.

Rënia bëhet edhe më e dukshme krahasuar me 24 qershorin, kur nëpër këtë korridor strategjik kaluan 58 anije, numri më i lartë që nga fundi i muajit shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën operacionet ushtarake kundër Iranit.

Sipas Bloomberg, pronarët e anijeve mbeten të ndarë mbi situatën në rajon. Disa kompani kanë vendosur të shtyjnë ose të pezullojnë përkohësisht lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit, duke pritur një qartësim të situatës së sigurisë.

Zhvillimet vijnë pasi Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi sulme të reja ndaj objektivave ushtarake iraniane, me urdhër të presidentit Donald Trump. Sipas Pentagonit, sulmet ishin përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar iranian ndaj një anijeje tregtare më 25 qershor, ndërsa më 27 qershor një dron kamikaz goditi tankerin me flamur panamez M/T Kiku.

Megjithatë, tensionet duket se kanë hyrë në një fazë të re diplomatike. Sipas gazetarit të Axios, Barak Ravid, SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord të ndalin përkohësisht sulmet reciproke dhe të zhvillojnë konsultime në Doha më 30 qershor, me fokus zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.

Trending