Në gjysmën e parë të vitit, përkatësisht në periudhën janar-qershor, të ardhurat e përgjithshme në buxhet u realizuan në vlerë prej 170 miliardë denarëve (më saktë 169.9, kurse unë i rrumbullakova), që është rritje prej 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe ka realizim të planit prej mbi 45%.
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në ekspozenë e ribalancit të buxhetit për vitin 2026, në debatin e komisionit në Kuvend, vlerësoi se financat publike janë të stabile, të ardhurat po realizohen në përputhje me pritshmëritë, ndërsa shpenzimet janë të destinuara drejt përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe realizimit të politikave prioritare të zhvillimit.
“Veçanërisht është domethënëse që pjesa më madhe e të ardhurave vijnë nga aktiviteti i rregullt ekonomik. Të ardhurat tatimore arritën në 96.7 miliardë denarë, me ç’rast të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar arritën në 43.3 miliardë denarë dhe marrin pjesë me rreth 44.7% të të ardhurave të përgjithshme tatimore. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 17.5 miliardë denarë, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin 13.8 miliardë denarë, kurse akcizat gjeneruan 13.9 miliardë denarë”, tha ministrja.
Të dhënat tregojnë rritje të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale për 11.7%, tatimi mbi fitimin për 14.5%, tatimi mbi vlerën e shtuar për 16.4% dhe rritje prej 8.3% te detyrimet e importit.
Sipas ministres, ky është konfirmim i drejtpërdrejtë se aktiviteti ekonomik vazhdon, se kompanitë po punojnë, se pagat po rriten dhe se institucionet po realizojnë me sukses politikën e arkëtimit më të mirë dhe reduktimit të ekonomisë gri.
Kontributet sociale në këtë periudhë gjashtëmujore, me ç’rast si burimi më i rëndësishëm i financimit të sistemit pensional dhe sistemit shëndetësor, arritën në 58.8 miliardë denarë, që është rritje prej 7.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shpenzimet e buxhetit, që u realizuan në vlerë prej 205.9 miliardë denarëve janë në drejtim të përmbushjes së detyrimeve ligjore ndaj qytetarëve.
Në gjysmën e parë të vitit 2026, u përmbushën detyrimet ndaj ekonomisë, përkatësisht u bë kthimi i mjeteve bazuar në tatimin e solidaritetit në vlerë prej 1.2 miliardë denarëve. Për pagesën e pensioneve u ndanë 58.1 miliardë denarë dhe u sigurua pagesa e rregullt e pensioneve për të gjithë pensionistët. Për financimin e sistemit të mbrojtjes shëndetësore, u realizuan 25.5 miliardë denarë, kurse për mbrojtjen sociale të kategorive të qytetarëve të shtresave në nevojë u paguan 7.6 miliardë denarë. Komunave u janë transferuar 15.1 miliardë denarë dotacione bllok për arsimin, mbrojtjen e fëmijëve, kulturën, mbrojtjen nga zjarri dhe kompetencat e tjera të transferuara, si dhe 2.4 miliardë denarë mjete shtesë nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Në të njëjtën kohë, në tremujorin e parë të vitit, shteti i servisoi në mënyrë disiplinore të gjitha detyrimet ndaj kreditorëve vendas dhe të huaj. Për interesin u paguan 12 miliardë denarë, ndërsa për shlyerjen e principalit në bazë të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm janë servisuar 60.7 miliardë denarë
Sipas ministres, siç deklaroi në ekspozenë e saj, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse disiplina financiare dhe servisimi në kohë i borxhit janë parakusht për ruajtjen e besimit të investitorëve, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe agjencive kreditore.
Ajo theksoi se te shpenzimet, politika mbetet e pandryshuar – pagesa në kohë e të gjitha detyrimeve ligjore, menaxhimi i disiplinuar i mjeteve publike dhe financimi prioritar i politikave zhvillimore.
Ministrja theksoi se treguesi më i fuqishëm i politikës së zhvillimit të Qeverisë është realizimi i shpenzimeve kapitale, të cilat në gjysmën e parë të vitit arritën në 19.4 miliardë denarë, që është rritje prej 53.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo, konsideron ministrja, do të thotë se shteti po investon më shumë në rrugë, hekurudha, infrastrukturë komunale, shkolla, kopshte, institucione shëndetësore, furnizim me ujë, sisteme kanalizimesh, projekte energjetike dhe zhvillim lokal. Për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d, deri në fund të muajit maj janë realizuar 6.3 miliardë denarë, ndërsa në mënyrë plotësuese janë realizuar 2.1 miliardë denarë për projekte infrastrukturore në komuna.










