Kryeministri Edi Rama në një intervistë për CNN Turk, ka folur për rezultatet e Samitit të NATO-s, marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, situatën në Ballkan, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe zhvillimet në sektorin e turizmit. Rama vlerësoi Samitin e NATO-s, duke theksuar se ai konfirmoi vendosmërinë e krahut evropian të aleancës për të përballuar sfidat e sigurisë.
“Nuk mendoj se kishte një vendim të vetëm më të rëndësishëm. Samiti tregoi se krahu evropian i NATO-s ka ndërtuar një strukturë shumë të fortë ushtarake dhe është i vendosur të modernizojë forcat e tij për t’iu përgjigjur kërcënimeve”,-u shpreh ai.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu organizimin e samitit nga Turqia, duke theksuar se mikpritja dhe profesionalizmi i treguar lanë përshtypje pozitive tek të gjithë pjesëmarrësit. Duke folur për raportin me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Rama e cilësoi atë si një mik shumë të afërt dhe një partner strategjik për Shqipërinë.
“Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë i ngushtë dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta çuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në një nivel strategjik,” deklaroi Rama.










