Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj votimit të Ivan Stoilkoviqit për ministër në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se vota e deputetëve të VLEN-it për emërimin e tij përbën “përgjegjësi politike” dhe “legjitimim institucional të ideologjisë së Botës Serbe”.
Në reagimin e saj, BDI e lidh këtë çështje me deklaratën e fundit të një ministreje të Qeverisë së Serbisë, e cila, sipas partisë, publikisht kishte deklaruar se ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq “është dashur ta përfundonte spastrimin etnik ndaj shqiptarëve”.
Sipas BDI-së, një deklaratë e tillë nuk mund të konsiderohet si mendim individual, por si shprehje e një ideologjie që vazhdon të glorifikojë politikat që sollën luftëra, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Ballkan.
“Deklarata skandaloze e ministres së Qeverisë së Serbisë, e cila publikisht u shpreh se Sllobodan Millosheviqi është dashur të kryente dhe ta përfundonte spastrimin etnik ndaj shqiptarëve, nuk është thjesht një qëndrim individual. Ajo është shprehje e një ideologjie të rrezikshme që vazhdon të glorifikojë politikat që prodhuan luftëra, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Ballkan”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare vlerëson se pikërisht në këtë kontekst merr peshë edhe votimi në Kuvend për Ivan Stoilkoviqin. “Votimi i mbrëmshëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut merr një peshë edhe më të rëndë politike. Ivan Stoilkoviqi u votua ministër edhe me votat e deputetëve të VLEN-it, ndonëse bëhet fjalë për një politikan të njohur për qëndrimet e tij të hapura proserbe, proruse dhe antishqiptare”, thekson BDI.
Sipas kësaj partie, Stoilkoviqi prej vitesh promovon politikat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, mbron narrativat e “Botës Serbe” dhe ka shprehur vazhdimisht qëndrime armiqësore ndaj interesave të shqiptarëve.
“Ai prej vitesh promovon politikat e Aleksandar Vuçiqit, mbron narrativat e ‘Botës Serbe’ dhe nuk ka fshehur asnjëherë armiqësinë e tij ndaj interesave të shqiptarëve. Nuk është rastësi as që ata ndajnë të njëjtën platformë ideologjike, të njëjtat narrativa dhe të njëjtët sponsorë politikë”, thuhet në reagim. BDI shton se VLEN nuk mund të pretendojë se nuk ka qenë në dijeni për profilin politik të Stoilkoviqit.
“Prandaj, VLEN nuk mund të pretendojë se nuk e dinte kë po votonte. Me votën e tyre, ata i dhanë legjitimitet institucional një eksponenti të politikës së ‘Botës Serbe’ brenda Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, thekson partia. Në reagim përmendet edhe Raporti i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, për të cilin BDI thotë se ka evidentuar rrezikun nga ndikimi i “Botës Serbe”, si dhe rritjen e ndikimit malinj rus dhe kinez në rajon.
“Kujtojmë se edhe Raporti i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut evidentoi qartë rrezikun nga ndikimi i ‘Botës Serbe’, si dhe rritjen e ndikimit malinj rus dhe kinez në rajon. Në vend që këto paralajmërime të merren seriozisht, shumica qeverisëse vendosi ta fuqizojë pikërisht një nga promotorët më të zëshëm të këtyre politikave”, thuhet në deklaratë.
BDI dënon, siç shprehet, çdo deklaratë që justifikon ose promovon spastrimin etnik dhe kërkon distancim të qartë nga çdo ideologji që rehabiliton regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Njëkohësisht, partia i bën thirrje VLEN-it të sqarojë para qytetarëve shqiptarë arsyet e mbështetjes për Ivan Stoilkoviqin.
“Po aq, kërkojmë që VLEN të shpjegojë para qytetarëve shqiptarë se si mund të pretendojë se mbron interesat e tyre, ndërkohë që voton për ministër një politikan i cili prej vitesh është simbol i propagandës antishqiptare, proserbe dhe proruse. Shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që legjitimojnë eksponentët e ‘Botës Serbe’, por për përfaqësues që mbrojnë dinjitetin, historinë dhe orientimin euroatlantik të vendit”, përfundon reagimi i BDI-së.










