Trendy

Nga rrogë 50.000 denarë në 100.000! Roja i avancuar në M-NAV është vëllai i guvernatorit Trajko Sllaveski

Para 3 orë

Roja i avancuar në mënyrë të paligjshme në Navigacionin Maqedonas (M-NAV), Sasho Sllaveski, për të cilin revista “Fokus” raportoi ditë më parë, ndërsa anëtarët e Bordit Drejtues morën kallëzim penal, është vëllai i guvernatorit aktual të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski. Anëtarët e Bordit Drejtues të M-NAV kanë marrë kallëzim penal për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, punë të pandërgjegjshme në shërbim dhe shkelje të të drejtave nga marrëdhënia e punës. Sipas dokumenteve që posedon “Fokus”, ata i kanë mundësuar rojës së objektit që në mënyrë të paligjshme të avancohet në detyrë.

“Më 19.02.2025, të denoncuarit Vladimir Risteski, Milan Koraq dhe Fatmir Zimberi, në cilësinë e anëtarëve të Bordit Drejtues të Shoqërisë Aksionare për Ofrimin e Shërbimeve të Navigacionit Ajror M-NAV Shkup, në mbledhjen e 13-të të Bordit, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar në kundërshtim me disa ligje dhe akte nënligjore, miratuan dy vendime të ndërlidhura me të cilat mundësuan avancimin e paligjshëm të një të punësuari. Fillimisht, ata miratuan vendim me të cilin punëtorit Sasho Sllaveski, i cili deri atëherë ushtronte detyrën ‘Roje e objektit – Ohër’ në Departamentin e Punëve të Përgjithshme, i ndryshohet kontrata e punës dhe emërohet në pozitën ‘Ndihmës për trajnim dhe koordinim në Departamentin e Informacioneve Aeronautike (AIS) në Sektorin e Navigacionit Ajror’, me vlefshmëri nga 1 marsi 2025. Ky vendim paraqet një avancim thelbësor të punonjësit në një pozitë më të lartë, më komplekse dhe më të paguar, duke i siguruar atij përfitim të konsiderueshëm pasuror”, thuhet në kallëzimin penal të dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike.

Siç ishte raportuar më parë, roja u bë ndihmës për trajnim, ndërsa paga e tij u rrit nga 50.000 në 100.000 denarë. Punonjësi është avancuar nga 1 marsi 2025, ndërsa deri në qershor të këtij viti, falë pagës së re, ka përfituar rreth 7000 euro më shumë. “Konkretisht, me këtë avancim, koeficienti për llogaritjen e pagës së Sllaveskit është rritur nga 1.2087, sa ishte për pozitën ‘Roje e objektit – Ohër’, në 2.3177 për pozitën e re ‘Ndihmës për trajnim dhe koordinim’.

Sipas Kontratës Kolektive të M-NAV Shkup, vlera e koeficientit 1.00 është 452.41 pikë, ndërsa një pikë është e barabartë me kundërvlerën në denarë të një euroje. Me këtë, paga mujore bruto e punonjësit është rritur në mënyrë të paligjshme për: (2.3177 – 1.2087) × 452,41 euro = 501,72 euro. Meqenëse avancimi është në fuqi që nga 1 marsi 2025, deri në momentin e paraqitjes së kallëzimit penal (4 qershor 2026), punonjësit i janë paguar 14 paga mujore me këtë rritje të paligjshme. Përfitimi i përgjithshëm pasuror për punonjësin, dhe njëkohësisht dëmi i shkaktuar buxhetit të M-NAV Shkup, arrin në: 14 muaj × 501,72 euro = 7.024,08 euro në kundërvlerë në denarë”, thuhet më tej në kallëzimin penal. Ka reaguar edhe opozitarja LSDM.

Trending