Spanja do të përballet me një valë të re të të nxehtit duke nisur nga e mërkura, e cila pritet të zgjasë të paktën deri të dielën, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për një rrezik “ekstrem” të përhapjes së zjarreve në pyje.
Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës (Aemet) bëri të ditur se temperaturat e larta dhe erërat do të përkeqësojnë ndjeshëm situatën, duke e bërë edhe më të vështirë punën e ekipeve të emergjencës. “Niveli i rrezikut do të vazhdojë të rritet, duke arritur nivele ekstreme”, thuhet në deklaratën e Aemet, e cila paralajmëron se kushtet atmosferike do të favorizojnë përhapjen e flakëve.
Më herët, ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi se dita e sotme dhe ajo e nesërme do të jenë “absolutisht vendimtare” për vënien nën kontroll të zjarreve që kanë përfshirë zonat pranë Madridit.
Një nga vatrat më problematike mbetet fronti “Western Sierra” në rajonin e Madridit, i cili ndodhet shumë pranë zjarrit të madh në Ávila, në rajonin fqinj të Castile-Leon.
Sipas autoriteteve, vetëm këto dy zjarre kanë shkrumbuar rreth 75 mijë hektarë tokë brenda pak ditësh, një sipërfaqe rreth shtatë herë më e madhe se ajo e Parisit, duke e bërë këtë një nga episodet më të rënda të zjarreve që ka përjetuar Spanja.










