Tetova do të jetë sonte qendra e argëtimit, pasi në kuadër të manifestimit “Tetova n’Festë” në skenë do të ngjitet legjenda e muzikës shqiptare, Sabri Fejzullahu, i cili pritet të jetë protagonisti i mbrëmjes dhe të elektrizojë publikun me hitet e tij më të njohura.
Artisti, i cili prej dekadash mbetet një nga emrat më të dashur të skenës shqiptare, do të sjellë një performancë të veçantë, duke interpretuar këngët që kanë shoqëruar breza të tërë dhe vazhdojnë të këndohen nga publiku anembanë trojeve shqiptare.
Përveç Sabri Fejzullahut, atmosfera do të pasurohet edhe nga performancat e grupit legjendar Minatori, këngëtarit Naser Berisha dhe DJ Shock, të cilët do të kujdesen që festa të vazhdojë me ritme të larta deri në fund të mbrëmjes.
Koncerti do të mbahet sonte, 31 korrik, duke filluar nga ora 20:30, në Sheshin “ILIRIA”, ku pritet një numër i madh qytetarësh dhe vizitorësh për të përjetuar një tjetër natë të paharrueshme në kuadër të “Tetova n’Festë”.
“Tetova n’Festë” vazhdon të sjellë emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare, duke e shndërruar qytetin në epiqendrën e festës, muzikës dhe argëtimit gjatë sezonit veror.










