Trendy

Ngushtica e Hormuzit hapet pas 7-ditësh? Irani i dorëzon një pakt të ri SHBA-së

Para 2 minuta

Irani ka paraqitur një plan që parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda shtatë ditësh, nëse Shtetet e Bashkuara përmbushin kushtet e vendosura nga Teherani…

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork se propozimi i është përcjellë palës amerikane përmes ndërmjetësve.

Sipas Araghchit, kushtet e Iranit nuk përbëjnë kërkesa të reja, por lidhen me angazhimet e parashikuara në Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit. Ai ka deklaruar më herët se rikthimi i SHBA-së te këto angazhime do të krijonte kushtet për uljen e tensioneve dhe normalizimin e situatës.

“Ne kemi paraqitur një plan përmes ndërmjetësve. Nëse SHBA-ja përmbush kushtet, Ngushtica e Hormuzit do të rihapet pas shtatë ditësh Kushtet nuk janë të reja; ato janë ato që ishin tashmë në Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit”, tha Araghchi, duke shtuar se zhvillimet “varen nga SHBA-ja”

Raportimet e ditëve të fundit tregojnë se Teherani kërkon hapa nga Uashingtoni për uljen e presionit ushtarak dhe heqjen e bllokadës ndaj porteve iraniane. Media ndërkombëtare raportojnë se propozimi për rihapjen brenda shtatë ditësh i ishte përcjellë Uashingtonit përmes ndërmjetësve.

Araghchi tha gjithashtu se Teherani do të preferonte që marrëveshja të zbatohej përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA. Presidenti amerikan Donald Trump, ndërkohë, ka sinjalizuar se një marrëveshje me Iranin mund të arrihet pas zgjedhjeve të nëntorit.

“Varet nga SHBA-ja . Do të ishte më mirë ta zbatonim këtë para zgjedhjeve të mesit të mandatit”, tha Araghchi, i cili këmbënguli se kushtet iraniane mbeten në përputhje me marrëveshjen e mëparshme.

Përpjekjet diplomatike janë intensifikuar gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Negociatorët amerikanë dhe iranianë zhvilluan të mërkurën bisedime disaorëshe në Nju Jork për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimin e negociatave në kuadër të Memorandumit të Islamabadit. Një ditë më vonë, Araghchi diskutoi zhvillimet edhe me ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar.

Megjithatë, raportimet për afatin shtatëditor nuk kanë qenë plotësisht të njëtrajtshme. Burime të cituara nga media iraniane kanë kundërshtuar më herët njoftimet se Teherani kishte vendosur një afat të tillë, ndërsa raportimet e tjera kanë konfirmuar se Irani ka paraqitur kushte konkrete për rihapjen e ngushticës.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të energjisë, ndaj negociatat për rihapjen e saj po ndiqen nga afër edhe nga vendet evropiane dhe shtetet e rajonit.

Trending