Tensionohet situata në qendër të Tiranës. Policia përdor gaz lotsjellës, ujë me presion dhe spraj për të shpërndarë protestuesit, ndërsa një grup vajzash kundërshtojnë ndërhyrjen dhe përleshen fizikisht me efektivët…
Situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është tensionuar, ndërsa një grup të rinjsh janë përplasur fizikisht me efektivët e policisë.
Forcat e rendit kanë ndërhyrë për të larguar protestuesit nga bulevardi qendror i Tiranës, duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Gjatë përplasjeve, protestuesit u janë drejtuar efektivëve me thirrjet: “Hiqni kapelet, bashkohuni me ne”.

Një grup vajzash kanë tentuar fillimisht të bllokojnë lëvizjen e forcave të policisë, duke u ulur në mes të bulevardit. Efektivët kanë përdorur spraj për t’i larguar, por vajzat kanë vijuar rezistencën, duke u përleshur fizikisht me policët që tentonin t’i largonin nga rruga.
Nga ana tjetër, një grup protestuesish kanë qëlluar me gurë dhe molotovë në drejtim të automjeteve të policisë që përdorin ujë me presion.

Ndërkohë, policia ka nisur arrestimin e protestuesve gjatë ndërhyrjes për të liruar bulevardin. Efektivët kanë kapur dhe shoqëruar disa prej tyre, ndërsa përplasjet me grupet e tjera kanë vijuar.
Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të arrestuar apo të shoqëruar në komisariat.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












