Situata përpara Kryeministrisë është tensionuar pas hedhjes së gurëve drejt godinës së qeverisë. Policia ka ndërhyrë me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa kanë nisur edhe shoqërimet e disa personave. Nga zona janë larguar edhe mediat…
Protesta përpara Kryeministrisë ka përshkallëzuar në përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, të cilat kanë ndërhyrë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Përplasja në Bulevardin Dëshmorët e Kombit
Tensionet nisën pasi disa protestues hodhën gurë në drejtim të godinës së qeverisë, ndërsa më herët kishin hedhur edhe kapsolla përpara kordonit policor.
Pas agravimit të situatës, policia aktivizoi autobotët me ujë dhe përdori gaz lotsjellës, duke detyruar protestuesit të tërhiqen nga bulevardi përpara Kryeministrisë.
Ndërkohë, efektivët kanë nisur shoqërimin e disa personave të përfshirë në protestë.
Nga zona përpara Kryeministrisë janë larguar edhe përfaqësuesit e mediave, ndërsa policia ka vijuar ndërhyrjen për shpërndarjen e protestuesve.
Më herët, protestuesit ishin zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, ku u vunë flakën karrigeve që kryeministri Edi Rama kishte vendosur për dialog me ta. Ata refuzuan propozimin e Ramës për bisedime, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Në një pankartë të vendosur përpara kordonit policor shkruhej: “Rama, zgjidh: ose arrest në shtëpi, ose në qeli!”.
Gjatë tubimit u dëgjuan edhe thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa protestuesit kërkuan arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Protesta e sotme shënon ditën e 13-të të tubimeve kundër qeverisë.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












