Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Nga bankat e shkollës, në stacion të policisë!

Nga bankat e shkollës, në stacion të policisë!

Në një moshë kur duhet të mendojnë për shkollën, lojën dhe të ardhmen, qindra fëmijë në Maqedoninë e Veriut përballen me dyert e stacioneve policore, procedurat ligjore dhe një sistem që jo gjithmonë arrin t’i mbrojë në kohë. Vetëm gjatë vitit 2025, gjithsej 1.201 fëmijë në konflikt me ligjin janë thirrur në polici. Pas kësaj shifre qëndron një realitet edhe më shqetësues: fëmijë që bëhen viktima të dhunës, të mitur që nuk kanë mbrojtje të mjaftueshme juridike dhe institucione që shpesh reagojnë vetëm pasi problemi ka marrë përmasa serioze. Ekspertët paralajmërojnë se përgjigjja nuk duhet të jetë ulja e moshës së përgjegjësisë penale, por parandalimi i hershëm, mbështetja e familjeve dhe identifikimi i fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë.

Këto janë disa nga gjetjet dhe mesazhet kryesore të Raportit Vjetor për Gjendjen në Fushën e të Drejtave të Fëmijëve dhe Delikuencës së të Miturve, të përgatitur nga Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve dhe Drejtësinë për Fëmijët. Raporti, i cili analizon zhvillimet gjatë vitit 2025, është hartuar mbi bazën e 40 treguesve dhe të dhënave të siguruara nga 87 institucione. Treguesit janë plotësuar dhe harmonizuar me ndryshimet e Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 në stacionet policore janë thirrur 1.201 fëmijë në konflikt me ligjin, përkatësisht 45 më pak krahasuar me vitin 2024, kur ishin regjistruar 1.246 raste. Kjo paraqet një ulje prej rreth katër për qind. Megjithatë, raporti evidenton edhe zhvillime që kërkojnë vëmendje të veçantë. Numri i fëmijëve të regjistruar si kryerës të kundërvajtjeve është rritur për 54 për qind krahasuar me vitin 2024, ndonëse mbetet 31 për qind më i ulët se në vitin 2023. Ndërkohë, numri i fëmijëve të ndaluar gjatë vitit 2025 është përgjysmuar në raport me vitin paraprak, kur ishin ndaluar 149 fëmijë. Megjithatë, ky numër mbetet më i lartë se në vitin 2023, kur ishin evidentuar 50 fëmijë të ndaluar.

Një tjetër tregues që kërkon interpretim të kujdesshëm është ulja prej 50 për qind e numrit të fëmijëve në rrezik. Këshilli sqaron se kjo ulje nuk dëshmon domosdoshmërish përmirësim të gjendjes, pasi është rezultat i ndryshimit të metodologjisë së evidentimit. Derisa më parë në këtë kategori përfshiheshin fëmijët nga mosha gjashtë deri në 18 vjeç, tani ajo përfshin vetëm fëmijët deri në 14 vjeç, ndërsa për grupmoshën 14 deri në 18 vjeç është vendosur tregues i veçantë. Për të njëjtën arsye është regjistruar edhe ulje e numrit të vajzave të kategorizuara si në rrezik.

Lexo edhePrindërit bojkotojnë mësimin në Frëngovë: “Fëmijët tanë nuk do të kthehen në shkollë!”

QINDRA FËMIJË VIKTIMA, GJYKATAT REGJISTROJNË RRITJE PREJ 118 PËR QIND

Përtej fëmijëve në konflikt me ligjin, raporti nxjerr në pah edhe numrin e madh të të miturve të evidentuar si viktima. Numri më i lartë i fëmijëve viktima është regjistruar në MPB me gjithsej 694 raste të evidentuara. Pasojnë prokuroritë publike me 629, gjykatat me 404 dhe qendrat për punë sociale me 334. Rritja më e madhe është regjistruar në gjykata, ku numri i fëmijëve viktima të evidentuar është rritur për 118 për qind krahasuar me vitin 2024. Këto të dhëna pasqyrojnë evidentimet e institucioneve të ndryshme dhe nuk duhet të mblidhen automatikisht si numër i përgjithshëm i viktimave unike, pasi i njëjti fëmijë mund të jetë regjistruar në më shumë se një institucion. Sa u përket vajzave të thirrura në stacionet policore, 107 prej tyre janë paraqitur në cilësinë e dëshmitareve, ndërsa 61 janë thirrur si të denoncuara, që përbën 21 për qind të numrit të përgjithshëm të vajzave të thirrura.

Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit ka të bëjë me kushtet në të cilat zhvillohen bisedat policore me fëmijët. Në gjithë vendin ekzistojnë vetëm tri hapësira të pajisura posaçërisht për intervistimin e të miturve.

Gjatë vitit 2025, në këto ambiente janë zhvilluar biseda me vetëm 16 fëmijë, ose 1,2 për qind e të gjithë fëmijëve të thirrur në polici. Kjo përqindje është identike me atë të vitit 2024, çka tregon se nuk është shënuar përparim në përdorimin e ambienteve të përshtatura për nevojat e fëmijëve. Situata është disi më pozitive sa i përket të drejtës për mbrojtje juridike. Gjatë vitit 2025, 49 për qind e fëmijëve të thirrur në polici e kanë realizuar të drejtën për mbrojtës ligjor, krahasuar me 32 për qind në vitin 2024. Megjithatë, kjo do të thotë se më shumë se gjysma e fëmijëve të thirrur nuk janë evidentuar si përfitues të kësaj të drejte gjatë procedurave policore. Në qendrat për punë sociale, të drejtën për avokat e kanë realizuar vetëm 16 fëmijë, krahasuar me 73 gjatë vitit paraprak.

FËMIJA QË SHKEL LIGJIN MUND TË JETË EDHE VIKTIMË E SISTEMIT

Kryetarja e Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve dhe Drejtësinë për Fëmijët, profesoresha Gordana Lazhetiq, thekson se shoqëria duhet ta ndryshojë mënyrën se si i trajton fëmijët që bien në konflikt me ligjin. Sipas saj, në shumë raste, sjellja problematike e një fëmije mund të jetë pasojë e rrethanave të vështira familjare, sociale ose institucionale, të cilat nuk janë identifikuar dhe trajtuar në kohë. “Sidomos kur kemi fëmijë në konflikt me ligjin, në disa raste duhet t’i trajtojmë edhe si viktima të të gjithë sistemit, sepse dikush nuk e ka njohur rrezikun dhe, si pasojë, fëmija ka ardhur në konflikt me ligjin. Megjithatë, theks edhe më të madh vendosim te fëmijët viktima”, deklaroi Lazhetiq, duke theksuar nevojën për përfshirje më të madhe të komunave në parandalimin e delikuencës së të miturve, identifikimin e hershëm të fëmijëve viktima dhe forcimin e mbështetjes për familjet.

Si një nga prioritetet kryesore, Lazhetiq përmendi aktivizimin dhe funksionimin e qëndrueshëm të këshillave komunalë për parandalimin e delikuencës së të miturve. Sipas saj, vetëqeverisja lokale duhet të marrë rol më aktiv në politikat parandaluese, në vend që përgjegjësia të mbetet vetëm te policia, gjykatat dhe qendrat për punë sociale. Vëmendje e veçantë, sipas saj, duhet t’i kushtohet edhe mbrojtjes së fëmijëve viktima gjatë procedurave institucionale.

Në këtë drejtim, ajo kërkoi përshpejtimin e zbatimit të modelit Barnahus, i cili parasheh bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve të ndryshëm, në mënyrë që fëmijët viktima të marrin mbështetje të koordinuar dhe të shmanget viktimizimi i tyre i mëtejshëm. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për mundësinë e uljes së kufirit ligjor të përgjegjësisë penale nga 14 në 13 vjeç, Lazhetiq theksoi se thelbi i problemit nuk qëndron te ashpërsimi i qasjes ndëshkuese. Sipas saj, përparësi duhet t’i jepet zbulimit të hershëm të problemeve dhe ndërhyrjes në kohë për t’u ofruar fëmijëve ndihmë dhe mbrojtje.

“Zgjidhja nuk është vetëm ta ulim moshën e përgjegjësisë penale, por çfarë ndërmarrim në momentin e parë kur vërejmë një problem”, theksoi Lazhetiq. Ajo vlerësoi se rritja e numrit të fëmijëve të evidentuar si viktima mund të lidhet pjesërisht edhe me përmirësimin e identifikimit të rasteve dhe trajnimet e zhvilluara në institucionet përkatëse. Ndryshe, Lazhetiq paralajmëroi se reagimi i vonuar mund të ketë pasoja serioze. Një fëmijë që përjeton bullizëm ose dhunë nga bashkëmoshatarët, nëse nuk merr mbështetjen e duhur, mund të përfundojë më vonë edhe në rolin e kryerësit të një vepre. Pikërisht për këtë arsye, ajo kërkon që institucionet të mos presin deri në momentin kur fëmija përfundon në polici ose në gjykatë. (koha.mk)

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme