Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Përfundoi shenjëzimi dimëror i shtegut nga Kodra e Diellit drejt Majës së Titos

Përfundoi shenjëzimi dimëror i shtegut nga Kodra e Diellit drejt Majës së Titos

Sot më 28 tetor, u promovua zyrtarisht shtegu dimëror i rinovuar Kodra e Diellit – Maja e Titos, duke shënuar përfundimin me sukses të aktiviteteve për vendosjen dhe rinovimin e sinjalistikës dimërore alpinistike.

Në aktivitetin promovues morën pjesë ambasadorët e Austrisë, Republikës Çeke dhe Republikës Sllovake, kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, përfaqësues të Komunës së Bogovinës, Bujar Xheladini nga Klubi bjeshkatar „Tetova“, Aleksandar Bogoevski, Toni Jovanovski, si dhe dashamirë dhe entuziastë të natyrës dhe alpinizmit.

I ftuar special ishte alpinisti çek me famë botërore, Marek Holeček, fitues i çmimit prestigjioz ndërkombëtar Piolet d’Or.

Shenjëzimi dimëror ka rëndësi të veçantë për sigurinë e alpinistëve dhe vizitorëve të malit. Në kushte të borës, mjegullës dhe dukshmërisë së kufizuar, shtyllat orientuese lehtësojnë ndjekjen e itinerarit dhe ndihmojnë në orientimin e sigurt në terren. Traseja është planifikuar në mënyrë që, në segmente të caktuara, të shmangë zonat me rrezik të shtuar nga ortekët, si dhe të kalojë jashtë pistave të skijimit të Kodrës së Diellit.

Lexo edheGjykata e Tiranës vendos ekstradimin drejt Turqisë të aktivistes politike Julide Yazici

Projekti „Slavkov – Shënimi i shtigjeve të ecjes malore në Maqedoninë e Veriut“ financohet nga ambasadat e Austrisë, Republikës Çeke dhe Republikës Sllovake, ndërsa zbatohet nga Federata e Alpinizmit e Maqedonisë së Veriut dhe organizata Sustainable Adventure Travel nga Shkupi.

Parku Kombëtar Mali Sharr mirëpret përfundimin me sukses të këtij projekti, i cili përbën një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës së alpinizmit, rritjen e sigurisë së vizitorëve dhe zhvillimin e turizmit malor të qëndrueshëm.

Megjithatë, krahas kënaqësisë për përfundimin e këtij investimi, mbetet shqetësimi për dëmtimin e qëllimshëm të disa prej shtyllave të vendosura më parë. Shpresojmë që infrastruktura e rinovuar të ruhet dhe të mos përsëriten raste të tilla. Pas çdo shtylle të vendosur qëndrojnë investime financiare, përkushtim dhe punë në terren, por mbi të gjitha, një angazhim konkret për sigurinë e jetës së njerëzve.

U bëjmë thirrje të gjithë vizitorëve, alpinistëve dhe dashamirëve të malit që ta respektojnë dhe ta ruajnë këtë infrastrukturë.

Dëmtimi i sinjalistikës nuk përbën vetëm cenim të pasurisë së përbashkët, por mund të shkaktojë humbjen e orientimit dhe të rrezikojë drejtpërdrejt jetën e vizitorëve, veçanërisht gjatë kushteve të vështira dimërore.

Shtegu është rinovuar. Tani është përgjegjësia jonë e përbashkët ta ruajmë atë.

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme