Trendy

Avokati i Popullit, Selami në Burgun e Shutkës, në verifikim ankesat për dhunë ndaj të burgosurve

Para 1 orë

Avokati i Popullit, Faton Selami, qëndroi sot në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues – Burgu i Shkupit në Shutkë, ku zhvilloi takime me drejtuesit e institucionit dhe me disa prej të burgosurve që kanë ngritur pretendime për ushtrim dhune gjatë kontrollit të djeshëm.

Siç njoftoi Zyra e Avokatit të Popullit, Selami bashkë me ekipin e Mekanizmit për Kontroll Civil u takua me drejtorin e burgut, Boban Utkovski, si edhe me zëvendësdrejtorin Baki Mustafi, për të siguruar informacion më të hollësishëm mbi kontrollin e realizuar nga pjesëtarët e Njësisë së Intervenimit të Policisë së Burgjeve, që është nën kompetencën e drejtpërdrejtë të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.

Gjatë kësaj vizite, Avokati i Popullit zhvilloi biseda të drejtpërdrejta edhe me disa të burgosur që kanë qenë subjekt i kontrollit.

Në qendër të këtyre bisedimeve ishte mënyra se si kanë vepruar pjesëtarët e njësisë gjatë kontrollit, konkretisht nëse janë zbatuar procedurat dhe standardet e parashikuara në aktet përkatëse, si dhe nëse ka pasur tejkalim të autorizimeve zyrtare apo përdorim të forcës së tepërt.

Zyra e Avokatit të Popullit bëri të ditur se gjatë ditës së sotme ekipi i Mekanizmit për Kontroll Civil do të vijojë hetimin për këtë rast, ndërsa pas përmbylljes së verifikimeve, Avokati i Popullit do ta njoftojë opinionin për gjetjet dhe hapat që do të ndërmerren.

Trending