Në mbledhjen e sotme të Këshillit Ekonomik dhe Social, përfaqësuesit e sindikatave, punëdhënësve dhe institucioneve diskutuan për disa çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtat e punëtorëve, kushtet e punës dhe standardin e jetesës së qytetarëve. Në qendër të diskutimeve ishte shporta mesatare e konsumit, e përllogaritur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se metodologjia e re për përllogaritjen e shportës së konsumit synon të japë një pasqyrë sa më reale, transparente dhe të mbështetur në të dhëna statistikore për shpenzimet e familjeve. Sipas tij, këto të dhëna duhet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave ekonomike dhe sociale që u përgjigjen nevojave të qytetarëve.“Qëllimi ynë nuk është të paraqesim një shifër më të ulët, por të sigurojmë një pasqyrë të verifikueshme, transparente dhe të bazuar në të dhëna statistikore për shpenzimet e familjeve. Këto të dhëna duhet të na shërbejnë si bazë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe ndërmarrjen e masave që do të ndikojnë në përmirësimin e standardit të jetesës dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve”, theksoi ministri Durmishi.Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, shporta mesatare e konsumit për muajin shtator 2026 ka arritur në 58.117 denarë për një familje katëranëtarëshe. Kjo shumë është për 358 denarë, ose 0,6 për qind, më e ulët se në gusht. Megjithatë, krahasuar me janarin e këtij viti, shpenzimet janë rritur për 1.736 denarë, përkatësisht 3,1 për qind.Ministri vlerësoi se këto të dhëna dëshmojnë nevojën për të ndjekur vazhdimisht ndryshimet e çmimeve dhe për të vlerësuar me kujdes barrën që ato krijojnë mbi buxhetet familjare.Gjatë mbledhjes u prezantua edhe metodologjia e përllogaritjes së shportës së konsumit, e cila përfshin 11 kategori shpenzimesh dhe 101 produkte ushqimore. Përllogaritja mbështetet në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës për tetë qytete, në çmimet e frutave dhe perimeve nga 23 tregje, si dhe në të dhënat e pesë zinxhirëve të mëdhenj dhe tre zinxhirëve rajonalë të marketeve.Kjo mënyrë e përllogaritjes mundëson përfshirjen e çmimeve nga pjesë të ndryshme të vendit, për të pasqyruar sa më saktë shpenzimet e përditshme të familjeve.Duke iu referuar dallimeve mes shportës së konsumit të Ministrisë dhe përllogaritjeve të tjera, Durmishi sqaroi se ato lidhen me mënyrën e përllogaritjes, kategoritë e përfshira dhe burimet e të dhënave. Dallimet më të mëdha vërehen te ushqimet dhe pijet, veshmbathja, arsimi, banimi dhe shpenzimet për shërbimet komunale. Nga ana tjetër, për disa kategori, si mirëmbajtja e shtëpisë, rekreacioni dhe kultura, përllogaritja e Ministrisë rezulton me shuma më të larta.“Përllogaritjet e ndryshme nuk duhet të jenë arsye për kundërshtime të ndërsjella, por nxitje për diskutim konstruktiv dhe hartim të politikave të mbështetura në të dhëna të besueshme. Asnjë statistikë nuk mund ta zëvendësojë kujdesin e vërtetë për fuqinë blerëse, sigurinë ekonomike dhe jetën dinjitoze të qytetarëve”, theksoi Durmishi.Përveç shportës së konsumit, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik dhe Social u diskutua edhe për ditët e pushimit, punën të dielave, mundësinë e vendosjes së javës katërditore të punës, si dhe çështjet që lidhen me rregullimin e vjetërsisë së punës për pension.Ministri theksoi se këto çështje kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm, harmonizim të interesave dhe pjesëmarrje aktive të të gjithë partnerëve socialë.“Këshilli Ekonomik dhe Social është vendi ku dëgjojmë argumentet e sindikatave, punëdhënësve dhe institucioneve. Synimi ynë është që përmes një dialogu të hapur dhe konstruktiv të gjejmë zgjidhje që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, u ofrojnë siguri dhe parashikueshmëri punëdhënësve dhe ndikojnë në përmirësimin e standardit të jetesës”, deklaroi ministri Durmishi.Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të dialogut social, ndjekjes transparente të treguesve ekonomikë dhe hartimit të politikave të qëndrueshme që synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetesës për të gjithë qytetarët.
Më shumë për këtë
Rama flet pak para protestës së sotme: Qëllimi i tyre është destabilizimi i venditShqiperi · 2 ditë më parë
Institucione të krijuara nga pazaret politike, kostoja bie mbi qytetarëtMaqedoni · 4 ditë më parë
LSM: Shporta minimale sindikale për muajin tetor arrin në 70.358 denarëMaqedoni · 6 ditë më parë
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












