Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Fëmija me autizëm u akuzua për vjedhje në një shitore, Komisioni konstatoi shqetësim dhe trajtim diskriminues

Fëmija me autizëm u akuzua për vjedhje në një shitore, Komisioni konstatoi shqetësim dhe trajtim diskriminues

„Pse po vjedh? Lëre lëngun!“ – një fëmijë me autizëm është akuzuar për vjedhje në një shitore, ndonëse, sipas ankesës së nënës së tij, në duar mbante një lëng të blerë në një tjetër shitore. Pas incidentit, fëmija kishte përjetuar shqetësim të madh emocional, kishte qarë dhe kishte shfaqur frikë për të hyrë sërish në atë dyqan. Më vonë, te ai ishin konstatuar edhe simptoma të reagimit akut ndaj stresit, shkruan skopje1.mk, përcjell tetova1

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në një mendim të datës 26 tetor 2026, ka konstatuar se ndaj fëmijës është ushtruar shqetësim për shkak të aftësisë së kufizuar, në fushën e qasjes në mallra dhe shërbime.

Ngjarja kishte ndodhur më 27 tetor 2025, pak minuta para orës 08:00 të mëngjesit, në një dyqan pranë shkollës ku vijonte mësimet fëmija.

Sipas ankesës së paraqitur nga nëna, shitësja, edhe pse ishte në dijeni për gjendjen e fëmijës, i ishte drejtuar me fjalët: „Pse po vjedh?“ dhe „Lëre lëngun!“, duke e akuzuar para blerësve të tjerë që ndodheshin në dyqan.

Nëna ka deklaruar se djali i saj është diagnostikuar me çrregullim të spektrit të autizmit, me funksionim të lartë, dhe për shkak të veçorive në komunikim dhe ndërveprim shoqëror nuk kishte arritur ta shpjegonte siç duhet situatën.

Pas incidentit, fëmija ishte tronditur, kishte qarë dhe kishte refuzuar të hynte përsëri në dyqan. Në ankesë thuhet gjithashtu se, gjatë një bisede të mëvonshme në prani të nënës, shitësja kishte vazhduar të komunikonte me ton të lartë dhe kishte komentuar gjendjen e fëmijës.

Nga ana tjetër, shitësja, përmes avokatit të saj, i ka kundërshtuar akuzat. Në deklaratën e saj ka pretenduar se fëmija ishte shqetësuar pasi nuk po arrinte ta gjente portofolin dhe se ajo ishte përpjekur ta qetësonte dhe ta ndihmonte, pa përdorur fjalë fyese apo diskriminuese.

Gjatë procedurës janë dorëzuar edhe dy deklarata me shkrim nga persona që ndodheshin në dyqan. Sipas tyre, fëmija kishte qarë dhe kishte kërkuar portofolin, ndërsa shitësja ishte përpjekur ta qetësonte. Megjithatë, Komisioni ka vlerësuar se këto dëshmi nuk i përfshijnë të gjitha rrethanat e paraqitura nga nëna, veçanërisht komunikimin që kishte vijuar në praninë e saj.

Një nga provat më të rëndësishme ishte raporti profesional i Qendrës Neuropsikologjike „Në botën time“, i përgatitur një ditë pas ngjarjes. Sipas këtij dokumenti, fëmija ishte dërguar për konsultë profesionale për shkak të një përjetimi traumatik.

Te ai ishin evidentuar shqetësim i theksuar emocional, ankth, ndjenjë frike, tërheqje në vetvete, refuzim për të marrë pjesë në aktivitetet shkollore dhe pagjumësi.

Në raport ishte evidentuar diagnoza F43.0 – reagim akut ndaj stresit, ndërsa ishte rekomanduar këshillim psikologjik dhe vazhdim i mbështetjes terapeutike.

Komisioni ka shqyrtuar edhe vërtetimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas të cilit nëna e kishte denoncuar rastin në polici. Pas denoncimit, zyrtarët policorë kishin ndërmarrë veprimet përkatëse dhe kishin shqiptuar një paralajmërim verbal, për të cilin ishte përpiluar shënim zyrtar.

Në arsyetimin e mendimit të tij, Komisioni ka theksuar se sjellja ndaj një fëmije me aftësi të kufizuara nuk mund të vlerësohet vetëm sipas rregullave të zakonshme të komunikimit me klientët.

Sipas Komisionit, duhet të merren parasysh mosha e fëmijës, aftësia e tij e kufizuar, mundësia për ta kuptuar dhe shpjeguar situatën, si dhe ndikimi që sjellja e një të rrituri mund të ketë në dinjitetin e tij.

Gjithashtu, është theksuar se për të konstatuar shqetësim diskriminues nuk është e domosdoshme të dëshmohet se personi ka pasur qëllim të cenojë dinjitetin e dikujt. Rëndësi kanë edhe pasojat që shkakton sjellja e tij.

Duke u bazuar në provat e shqyrtuara, Komisioni ka konstatuar se ndaj fëmijës është ushtruar shqetësim për shkak të aftësisë së kufizuar, në fushën e qasjes në mallra dhe shërbime.

Personit ndaj të cilit është konstatuar shkelja i është rekomanduar që në të ardhmen të përmbahet nga çdo sjellje shqetësuese, poshtëruese apo fyese ndaj personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht fëmijëve, duke respektuar dinjitetin, nevojat individuale dhe të drejtën e tyre për trajtim të barabartë.

Rasti rikthen në vëmendje rëndësinë e mënyrës së komunikimit me fëmijët me aftësi të kufizuara dhe nevojën që veçoritë dhe kërkesat e tyre individuale të respektohen edhe në situata të përditshme, siç është vizita në një shitore./tetova1.mk

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme