Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Galeria e Arteve Tetovë përmbyll me sukses edicionin e 17-të të Kolonisë Ndërkombëtare Artistike “Tetova 2026”

Galeria e Arteve Tetovë përmbyll me sukses edicionin e 17-të të Kolonisë Ndërkombëtare Artistike “Tetova 2026”

Në hapësirat e I.N. Galeria e Arteve Tetovë, mbrëmë u përmbyll me sukses edicioni i 17-të i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike “Tetova 2026”, një ngjarje që bashkoi artistë nga vende të ndryshme dhe pasuroi jetën kulturore të qytetit me vepra të reja artistike, percjell tetova1

Në ekspozitën përmbyllëse u prezantuan punimet e realizuara gjatë katër ditëve të kolonisë, e cila u mbajt në Hotel “Scardus”, në Kodrën e Diellit. Artistët pjesëmarrës nga Italia, Turqia, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të frymëzuar nga bukuritë natyrore të Malit Sharr, i shndërruan përvojat, emocionet dhe përshtypjet e tyre në krijime artistike që tashmë janë pjesë e koleksionit të Galerisë së Arteve – Tetovë.

U.D. drejtoresha e institucionit, Arbenita Meta në fjalën e saj përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi kontributin e artistëve, duke theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti për zhvillimin e bashkëpunimit kulturor dhe pasurimin e jetës artistike të qytetit.

Meta nënvizoi se kolonia dëshmon edhe një herë fuqinë e artit për të bashkuar njerëz dhe kultura të ndryshme, për të krijuar ura bashkëpunimi dhe për të përcjellë emocione përtej kufijve.

Lexo edheMbahet edicioni i 17-të i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2026

“Arti është një gjuhë universale që bashkon njerëz dhe kultura të ndryshme, krijon ura bashkëpunimi dhe pasuron jetën kulturore përtej kufijve”, theksoi Meta, duke shprehur mirënjohje për artistët pjesëmarrës dhe përkushtimin e tyre gjatë këtij edicioni.

Një nga rezultatet e rëndësishme të këtij edicioni është edhe pasurimi i koleksionit të Galerisë me më shumë se 20 vepra të reja arti, të cilat do të mbeten dëshmi e këtij takimi ndërkombëtar dhe e bashkëpunimit mes krijuesve.

“Uroj që veprat e ekspozuara të përcjellin emocione, të frymëzojnë vizitorët dhe të dëshmojnë rëndësinë e artit në shoqërinë tonë”, u shpreh Meta.

Ndërkaq, kuratori këshilltari i Galerisë, Behar Ferati ideator dhe bartës i këtij aktiviteti tradicional, falënderoi artistët për pjesëmarrjen, bashkëpunimin dhe nivelin profesional të treguar gjatë gjithë kolonisë.

Në përfundim të aktivitetit, Arbenita Meta ndau mirënjohje për artistët pjesëmarrës, duke shprehur falënderime edhe për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen financiare në realizimin e projektit.

Falënderime të veçanta iu drejtuan gjithashtu bashkëpunëtorëve dhe partnerëve të këtij edicioni: Vinarisë “Tikveš”, Restorantit “Parajsa e Sharrit” në Lisec, Restorantit “Forum”, si dhe stafit të Hotelit “Scardus” për mikpritjen e ngrohtë dhe përkushtimin gjatë katër ditëve të qëndrimit të artistëve në Kodrën e Diellit.

Meta shprehu mirënjohje edhe për ekipin organizativ të kolonisë, për kontributin në realizimin e suksesshëm të këtij edicioni.

Edicioni i 17-të i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike “Tetova 2026” përfundoi duke lënë pas vepra të reja, përvoja të përbashkëta dhe kujtime artistike që do të vazhdojnë të jetojnë në hapësirat e Galerisë së Arteve Tetovë./tetova1.mk

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme