Negociatat indirekte ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë shënuar zhvillime pozitive, ndërsa palët pritet të rikthehen në tryezën e bisedimeve pas përfundimit të ceremonisë mortore për ish-udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.
Kryetari i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit me SHBA-në mbetet një proces sfidues, por sipas tij është i realizueshëm.
Javën e kaluar, delegacionet e Teheranit dhe Uashingtonit zhvilluan bisedime indirekte në Doha të Katarit, të ndërmjetësuara nga autoritetet vendase. Megjithatë, procesi u pezullua përkohësisht për shkak të zhvillimeve në Iran.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, bëri të ditur se raundi i fundit i takimeve ka sjellë përparim pozitiv dhe se data e takimit të ardhshëm do të caktohet sapo të përfundojnë ceremonitë zyrtare në Iran.
Edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, u shpreh optimist për ecurinë e dialogut, duke deklaruar se bisedimet “po shkojnë mirë”, megjithëse theksoi se është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi rezultatin përfundimtar.










