Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Kryeprokurori i kënaqur me Kodin e ri Penal, dënime deri në 15 vjet burg për korrupsion

Kryeprokurori i kënaqur me Kodin e ri Penal, dënime deri në 15 vjet burg për korrupsion

Kryeprokurori Nenad Saveski është i kënaqur me përmbajtjen e Kodit të ri Penal dhe Ligjit për Procedurë Penale, të cilat para disa ditësh i publikoi Ministria e Drejtësisë dhe aktualisht ndodhen në fazën e debati publik.

“Tekstin final e presim edhe ne. Ne kemi përfaqësues tanë në grupin punues e cila punon në Kodin Penal dhe ajo që është tani si i kodifikuar në tërësi Kodi Penal, vlerësoj se është në masë të mjaftueshme diçka që i plotëson standardet të cilat dalin edhe nga organet ndërkombëtare gjyqësore”, deklaroi kryeprokurori Nenad Saveski.

Kodi i Ri penal tanimë një periudhë të gjatë është temë diskutimi, pas ndërhyrjeve skandaloze të vitit 2023 nga ana e shumicës parlamentare LSDM-BDI, nëpërmjet të cilave dhjetëra funksionarë të dyshuar për korrupsion praktikisht u amnistuan.

Krahas veprave të reja penale, fokusi mbetet te kapitulli i shpërdorimit të detyrës zyrtare i njohur si “Neni 353”, ku sipas ndryshimeve të reja do të bëhet neni 460. Në versionin e publikuar shihet se dënimet për këtë vepër penale janë ashpërsuar.

Lexo edheNdryshimet e reja në Kodin Penal nuk do të vlejnë në mënyrë retroaktive, rastet e vjetra mbeten sipas rregullave të mëparshme

Vepra bazë deri tani ka qenë e ndëshkueshme prej 6 muaj burg deri në 3 vjet, ndërsa tani parashikohet prej 6 muaj në 5 vjet burg. Për shpërdorimet e përmasave më të mëdha deri tani dënimi ka qenë prej 1 deri në 5 vjet burg ose prej 1 deri në 8 vjet. Por, sipas ndryshimeve të paralajmëruara, dënimi tani do të jetë prej 1 deri në 8 vjet burg ose prej 4 deri në 15 burg.

Me vetë faktin e rritjes së lartësisë së dënimit, rritet edhe periudha e parashkrimit ose vjetërsimit të veprës penale.

Në kapitullin për shpërdorimin e detyrës zyrtare është riformuluar dhe zgjeruar edhe vepra për Keqpërdorim gjatë prokurimeve publike ose kontratave të partneritetit publiko-privat ku dënimi parashikohet deri në 15 vjet burg.

Pos kësaj parashihet edhe zgjerim i veprës penale konfiskim i pasurisë së fituar deri në pesë vjet para kryerjes së veprës penale, në rrethana kur gjykata bindet, bazuar në rrethanat dhe provat, se pasuria tejkalon të ardhurat e ligjshme të autorit.

Më të rrepta, bëhen edhe dënimet për veprat penale që lidhen me dhunën ndaj grave, kurse shtohen edhe vepra të reja që kanë të bëjnë me ngacmimet seksuale. Vepër e re penale do të jetë “ngacmimi në punë” për të cilën parashikohet gjobë ose burgim deri një vit.

Vepra të reja penale parashihen edhe në fushën e ekonomisë dhe sistemin financiar. Prej 1 deri në 5 vjet burg do të dënohet çdokush që rrezikon stabilitetin bankar apo mbledh depozita në mënyrë të paautorizuar.

Përmbajtja e Kodit Penal, por edhe e Ligjit për Procedurë Penale është dërguar në Komisionin Evropian për mendim, ndërkohë që paralelisht në vend do të organizohen debate për të shqyrtuar tekstin. Ekspertët e fushës, institucionet, komuniteti akademik, organizatat civile, por edhe qytetarët do të kenë mundësi të japin sugjerimet lidhur me ndryshimet e reja. /Alsat.mk

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme