Kreu i Kuvendit Jovan Mitrevski firmosi dekretin për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
Meqë zgjedhjet janë të rregullta, Kuvendi nuk shpërndahet dhe do të vazhdojë me punë deri në fillim të muajit prill, kur edhe zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore. Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill kurse rrethi i dytë dhe zgjedhjet parlamentare më 8 maj.
“Besoj se në periudhën parazgjedhore të gjitha Institucionet kompetente por edhe të gjitha subjektet e përfshira do të kontribuojnë për zgjedhje të lira ashtu siç meriton një shtet, anëtar i NATO-s e që është në rrugë për anëtarësim në BE. Republika e Maqedonisë së Veriut në proceset e kaluara zgjedhore ka treguar se ka kapacitet për organizimin e zgjedhjeve në përputhje me vlera dhe parime evropiane. Vendosëm standarde të cilat duhet vetëm ti përparojmë dhe të mos lejojmë kthim mbrapa. Votimi në zgjedhje4, mundësia e qytetarëve që të tregojnë qëndrimin e tyre është akt demokratik është mundësi që qytetarët me votën e tyre ta caktojnë të ardhmen. Jam i bindur se edhe në këto zgjedhje qytetarët do ta bëjnë zgjedhjen e duhur dhe do të zgjedhin ardhmëri siç duam dhe siç meriton shteti ynë”, deklaroi Jovan Mitrevski, Kryetar i Kuvendit. /Alsat.mk