Një mësuese nga qyteti gjerman Duisburg është nën hetim nga prokuroria nën dyshimin për mashtrim, pasi për gati 17 vjet ka qenë vazhdimisht në pushim mjekësor, ndërsa ka vazhduar të marrë pagën e plotë, raporton gazeta “Welt”.
Prokuroria ka nisur procedurë ndaj saj pasi u zbulua se, ndonëse ishte nëpunëse shtetërore, gjatë kësaj periudhe nuk kishte mbajtur asnjë orë mësimi, por kishte vazhduar të përfitonte pagën e plotë.
Për këtë arsye, administrata rajonale ka urdhëruar pensionimin e saj të detyruar. Megjithatë, mësuesja e kundërshton vendimin dhe ka ngritur padi në Gjykatën Administrative në Dyseldorf, duke kërkuar që të vazhdojë të marrë pagën e plotë që përfitonte si nëpunëse aktive, në vend të pensionit të rregullt, i cili në rastin e saj do të ishte rreth 4 mijë euro në muaj.
Prokuroria kërkon dënim me burg dhe kthimin e 248 mijë eurove, për të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është aktiviteti i saj privat. Edhe pse zyrtarisht ishte shpallur plotësisht e paaftë për punë, ajo zhvillonte një biznes privat me produkte kozmetike, për të cilin madje kishte marrë edhe një çmim për sipërmarrësi.
Rasti ka shkaktuar reagime edhe për shkak të mungesës së mësuesve në Duisburg. Qyteti përballet prej vitesh me mungesë serioze të kuadrit arsimor në 128 shkollat e tij, ku mësojnë rreth 70 mijë nxënës.
Për të tërhequr mësues të rinj, autoritetet lokale organizojnë fushata të posaçme, të cilat përfshijnë ture njohëse në qytet dhe përfitime si akomodim falas për një periudhë të përkohshme.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












