Trendy

MPB: Mbi 130 mijë shkelje të regjistruara, shoferët me targa të huaja së shpejti do të marrin gjobat

Para 1 orë

Shoferët që kalojnë tranzit në autostradat e Maqedonisë së Veriut me targa të huaja dhe tejkalojnë ndjeshëm shpejtësinë e lejuar aktualisht regjistrohen nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, por gjobat ende nuk u dërgohen në adresat e tyre, pasi softueri nuk është përfunduar plotësisht.

Deri në përfundimin e këtij procesi, drejtuesit e automjeteve me targa të huaja që shkelin rregullat e trafikut në korridoret 8 dhe 10 do të ndëshkohen në vend nga patrullat policore me automjetet e njohura si “ndjekës” (interceptorë), të cilat janë vazhdimisht të angazhuara në terren.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, u bëri thirrje të gjithë udhëtarëve që kalojnë tranzit nëpër Maqedoninë e Veriut të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke theksuar se sistemi digjital tashmë është funksional, regjistron të gjitha shkeljet dhe së shpejti gjobat do t’u dorëzohen drejtuesve të automjeteve me targa të huaja në pikat kufitare.

“Shumë shpejt do të jeni dëshmitarë të zbatimit të plotë të fazës së dytë, e cila ka të bëjë me dorëzimin e gjobave për drejtuesit e automjeteve me targa të huaja. Prandaj u bëj thirrje qytetarëve që drejtojnë automjete me regjistrim të huaj të respektojnë rregullat, sepse shkeljet regjistrohen dhe gjobat do t’u dorëzohen së shpejti atyre që nuk i respektojnë ato”, deklaroi Toshkovski.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kontrollet e shtuara kanë dhënë rezultate konkrete. Në periudhën shkurt–qershor të këtij viti, numri i viktimave në aksidentet e trafikut është ulur me 40%, nga 55 viktima në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 34 këtë vit.

Gjithashtu, që nga fillimi i projektit janë regjistruar mbi 130 mijë shkelje të trafikut, ndërsa rreth 95 për qind e tyre kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar. Sipas MPB-së, këto të dhëna tregojnë nevojën për zbatimin sa më të shpejtë të fazës së dytë të sistemit, e cila do të mundësojë ndëshkimin edhe të shoferëve me targa të huaja.

Trending