Një paciente shtetase e Republikës së Shqipërisë ka zgjedhur ta vazhdojë trajtimin në Spitalin Klinik të Tetovës, pas një trajtimi 10-ditor në repartin e Urologjisë në Spitalin Universitar të Tiranës. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, përmes një postimi në rrjetet sociale, përcjell tetova1
Sipas Elezit, pacientja është transferuar me autoambulancë në Spitalin Klinik të Tetovës, ku është pritur nga ai personalisht. Menjëherë janë urdhëruar të gjitha ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme mjekësore për vlerësimin e gjendjes së saj.
Pas vlerësimit nga ekipi mjekësor, është vendosur që në orët e hershme të mëngjesit të realizohet ndërhyrja kirurgjikale. Operacioni është kryer me sukses nga Dr. Spec. Florin Dehari dhe Dr. Spec. Erzen Elezi.
Në reagimin e tij, Elezi thekson se ky rast është një dëshmi e besimit që pacientët nga vendi dhe rajoni kanë ndaj Spitalit Klinik të Tetovës.
“Pas një trajtimi 10-ditor në repartin e Urologjisë në Spitalin Universitar të Tiranës, një paciente shtetase e Republikës së Shqipërisë, falë besueshmërisë dhe reputacionit të Spitalit Klinik të Tetovës, ka kërkuar që trajtimin e saj të mëtejshëm ta vazhdojë në institucionin tonë.
Pacientja u transferua me autoambulancë dhe u prit personalisht nga drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Dr. Spec. Erzen Elezi, i cili urdhëroi menjëherë kryerjen e të gjitha ekzaminimeve dhe procedurave të nevojshme mjekësore.
Pas vlerësimit të gjendjes së pacientes, u vendos që në orët e hershme të mëngjesit të realizohej intervenimi kirurgjikal, i cili u krye me sukses nga Dr. Spec. Florin Dehari dhe Dr. Spec. Erzen Elezi.
Ky rast dëshmon edhe një herë profesionalizmin, përkushtimin dhe besimin që pacientët nga vendi dhe rajoni kanë ndaj Spitalit Klinik të Tetovës”, ka shkruar Elezi./tetova1.mk










