Sindikatat dhe partitë e majta në Zvicër kanë nisur zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për një referendum kundër një vendimi të Parlamentit Federal që, sipas tyre, mund të dobësojë pagat minimale të miratuara nga kantonet dhe komunat.
Projektligji parashikon që marrëveshjet kolektive të punës me zbatim të përgjithshëm të kenë përparësi ndaj pagave minimale të vendosura në nivel kantonal ose komunal.
Kundërshtarët e masës argumentojnë se ndryshimi mund të ulë nivelin e mbrojtjes për punëtorët në sektorët me paga të ulëta, si gastronomia, hoteleria dhe shërbimet e pastrimit. Sipas komitetit të referendumit, kjo përbën një cenim të pagave dhe të demokracisë direkte, pasi vendimet e miratuara nga qytetarët në kantone dhe komuna mund të anashkalohen. Ata theksojnë gjithashtu se rreth dy të tretat e personave që mund të preken nga kjo masë janë gra.
Edhe Këshilli Federal ka shprehur kundërshtimin ndaj projektligjit, duke vlerësuar se ai bie ndesh me kompetencat kushtetuese të kantoneve për të përcaktuar paga minimale.
Për ta dërguar çështjen në votim popullor, organizatorët duhet të mbledhin 50 mijë nënshkrime të vlefshme brenda afatit të parashikuar me ligj. Nëse ky kusht plotësohet, qytetarët zviceranë do të vendosin përmes referendumit nëse ligji do të hyjë në fuqi ose do të refuzohet.










