Një person ka humbur jetën të martën në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, si pasojë e një incidenti që dyshohet se ka ndodhur gjatë përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Viktima dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij dhe ka pësuar lëndime në kokë teksa më pas është dërguar me autoambulancë në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, por sipas mjekut kujdestar është konstatuar se ka qenë pa shenja jete, njofton Dukagjini.
Rastin për Dukagjinin e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Valon Osmani.
“Më datën 21.07.2026, rreth orës 16:30, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, një person mashkull kosovar i vitit të lindjes 1965, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, me ç’rast ka pësuar lëndime në kokë. I njëjti me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku sipas mjekut kujdestar është konstatuar se është pa shenja jete. Njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, u shpreh Osmani.










