Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të marrë sërish një kthesë të përshkallëzuar në ditët në vijim.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të sulmeve ushtarake ndaj Iranit, potencialisht që më 4 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Sipas portalit Ms. Now, administrata amerikane ka informuar aleatët e saj në vendet e Gjirit Persik që të përgatiten për një seri sulmesh të shkurtra dhe intensive kundër Iranit. Informacioni është bërë i ditur nga tre zyrtarë të lartë arabë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
Lexo edheNga diplomacia te armët dhe Izraeli, çfarë ndryshon nëse demokratët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit
Megjithatë, plani mbetet ende i pasigurt dhe nuk ka një konfirmim zyrtar se Uashingtoni ka marrë një vendim për rifillimin e operacioneve ushtarake.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i pyetur për këto raportime, deklaroi se administrata nuk komenton planet e mundshme ushtarake, ndërsa theksoi se Donald Trump i ka të gjitha opsionet në tryezë për të garantuar që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore.
Sipas raportimeve, një nga faktorët që e bën të ndërlikuar një përshkallëzim të ri është edhe mungesa e një mbështetjeje të unifikuar brenda kampit republikan. Baza e mbështetësve të Trump është gjithnjë e më e ndarë lidhur me qëndrimin ndaj Iranit dhe rolin që Shtetet e Bashkuara duhet të kenë në konfliktet ndërkombëtare.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












