Trendy

Qoku: Na u refuzua hyrja në Shqipëri pa asnjë shpjegim zyrtar, kërkoj transparencë nga autoritetet

Para 1 orë

Nënkryetari i VLEN-it dhe koordinatori i Grupit Parlamentar, Bekim Qoku, ka reaguar pasi, sipas tij, ai dhe dy zyrtarë të tjerë shtetërorë nga Maqedonia e Veriut u përballën me një situatë të pazakontë në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku pretendon se u mbajtën për më shumë se një orë pa asnjë sqarim dhe më pas iu refuzua hyrja në Shqipëri, përcjell tetova1

Reagimi i  plotë i Qokut:

“Situatë absurde në pikën kufitare të Qafëthanës.

Tre zyrtarë shtetërorë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, dy deputetë dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, u përballëm me një situatë të pashpjegueshme në hyrje të Republikës së Shqipërisë. Që të tre shqiptarë tej kufirit. Një kalim rutinë, u shndërrua në dramë absurdi.

Autoritetet shqiptare na lanë të prisnim për më shumë se një orë, pa na dhënë asnjë sqarim. Më pas na lejuan të vazhdonim rrugën, por i refuzuan hyrjen njërit prej shoqëruesve tanë që ndodhej në makinën e dytë pas nesh.

Të revoltuar nga kjo mënyrë veprimi, vendosëm të kthehemi në Maqedoninë e Veriut. Në kabinën ku dorëzuam pasaportat, polici shqiptar i palës maqedonase na njoftoi se, sipas konfirmimit të kolegut të tij nga pala shqiptare, ku rrinë në të njëjtën kabinë, refuzimi i hyrjes vlente edhe për ne të tre. Po pse na lejuan kalimin, mbetet enigmë.

Deri në këtë moment nuk kemi marrë asnjë vendim apo njoftim zyrtar që shpjegon arsyet e këtij veprimi. Për këtë arsye, nuk mund të bëjmë më shumë sesa të shtrojmë pyetje dhe të kërkojmë transparencë nga autoritetet shqiptare.

Nëse arsyeja lidhet me faktin se kam mbështetur publikisht protestat e fundit në Shqipëri, atëherë kjo do të ishte thellësisht shqetësuese. Ndëshkimi i qytetarëve për shprehjen e mendimit apo për mbështetjen paqësore të protestave nuk është në përputhje me standardet e një shteti demokratik dhe me liritë themelore të garantuara në çdo shoqëri demokratike. Nuk mund ta kuptoj këtë logjikë kur dihet që disa eurodeputetë kanë marrë pjesë fizikisht në protestat aktuale në Tiranë.

Po aq e vështirë është të kuptohet se si shteti shqiptar, nga njëra anë, ka nderuar figura si Goran Bregoviq, ka organizuar aktivitete me institucione kulturore nga Serbia dhe kryeministri i Shqipërisë i ka kushtuar një letër publike admirimi Sinisha Mihajlloviqit, ndërsa, nga ana tjetër, krijon një situatë ku shqiptarëve jashtë kufijve të saj u refuzohet hyrja pa asnjë shpjegim zyrtar.

Shpresoj që institucionet shqiptare ta sqarojnë sa më parë këtë rast. Transparenca nuk është vetëm detyrim institucional, por edhe kusht për ruajtjen e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve, si edhe mes vetë shqiptarëve.

Nëse vërtet do të rezultonte se qytetarët ndëshkohen për mbështetjen e protestave paqësore, atëherë Shqipëria do të rreshtohej pranë vendeve ku liria e shprehjes shtypet sistematikisht, një praktikë që raportet ndërkombëtare e lidhin me regjime autoritare, si Koreja e Veriut, Eritrea, Turkmenistani, Bjellorusia, Rusia, Irani, Afganistani nën talebanët apo Mianmari.

Shqipërinë e duam sepse e kemi amanet nga brezat, edhe fëmijët tanë do ta duan. Por Shqipërinë e drejtë, demokratike, evropiane, jo pushtetin që vihet në funksion të autokracisë e të përçarjes së shqiptarëve”, ka shkruar Qoku./tetova1.mk

Trending