Votuesit në Zvicër kanë hedhur poshtë me shumicë dërrmuese propozimet për një interpretim më të rreptë të traditës së neutralitetit të vendit.
Ishin më shumë se 70% e votuesve zviceranë që kundërshtuan propozimet që do ta pengonin Zvicrën të vendoste sanksione pa miratimin e Kombeve të Bashkuara, sipas rezultateve zyrtare.
Ndryshimet do ta kufizonin gjithashtu mundësinë e Zvicrës për të vendosur lidhje më të ngushta me aleancën ushtarake të NATO-s.
Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia ka rihapur debatin në Zvicër për politikën e saj të neutralitetit, e cila daton prej shekujsh.
Moska e kishte mbështetur hapur iniciativën, e cila u mbështet edhe nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), e krahut të djathtë. Në anën tjetër, ajo u kundërshtua nga qeveria federale dhe partitë e tjera të mëdha.
Lukas Golder, bashkëdrejtor i institutit kërkimor Gfs.bern, tha për transmetuesin publik zviceran SRF se votuesit nuk e kishin refuzuar neutralitetin, por se rezultati tregoi mbështetje për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Njerëzit kanë një ide të qartë se çfarë supozohet të arrijë neutraliteti i Zvicrës”, tha ai.
Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, tha gjatë një debati televiziv të zhvilluar së fundmi se “neutraliteti është zbatuar gjithmonë me një shkallë fleksibiliteti”.
Cassis theksoi se, edhe pse Zvicra nuk ka plane për të hequr ndalimin e shitjes së armëve për vendet në konflikt, përfshirë Ukrainën, neutraliteti nuk duhet të nënkuptojë indiferencë.
“Neutraliteti nuk do të thotë indiferencë”, tha ai, duke shtuar se Zvicra “nuk do të shikojë tutje kur të shohë shkelje të rregullave ndërkombëtare që na lejojnë të jetojmë në paqe”.
Zvicra u njoh ndërkombëtarisht si shtet neutral në vitin 1815, kur Kongresi i Vjenës i njohu vendit “neutralitetin e përhershëm”, në një periudhë të karakterizuar nga luftërat dhe trazirat në Evropë.
Parimi i neutralitetit u përcaktua më tej në të drejtën ndërkombëtare përmes Konventës së Hagës të vitit 1907, e cila përcaktoi detyrimet e shteteve neutrale gjatë konflikteve të armatosura.
Zvicra ka vazhduar të zbatojë politikën e saj të neutralitetit edhe në periudhat e mëvonshme. Ajo mbeti neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa gjatë asaj periudhe ruajti edhe ar të plaçkitur nga nazistët. Në një përpjekje për të penguar pushtimin nga Gjermania naziste, autoritetet zvicerane kthyen mbrapsht edhe mijëra refugjatë hebrenj.
Zvicra më vonë kërkoi falje për politikat e ndjekura gjatë asaj periudhe.
Sistemi i demokracisë së drejtpërdrejtë në Zvicër bën që vendimet e rëndësishme politike t’u nënshtrohen shpesh votuesve përmes referendumeve.











