Trendy

Skandal i ri: Mjeku i kombëtares së Senegalit rezultoi të ishte gjinekolog!

Para 3 javë

Mjeku i përfaqësueses së futbollit të Senegalit nuk kishte përvojën e duhur të specializuar për të qenë pjesë e ekipit kombëtar gjatë Kupës së Botës në Amerikën e Veriut. Skandali u zbulua nga presidenti i Federatës së Futbollit të Senegalit.

Mjeku i përfaqësueses ishte i specializuar në gjinekologji, ndërsa problemi u zbulua me vonesë, duke shkaktuar shqetësim te futbollistët lidhur me nivelin e mbështetjes mjekësore që kishin në dispozicion, deklaroi presidenti i federatës, Abdoulaye Fall, në një konferencë për media.

“Nga informacionet që mora, futbollistët nuk kishin besim të mjaftueshëm në mbështetjen mjekësore që u ofrohej prej tij”, tha Fall.

Ai shtoi se federata kërkoi ekspertizë shtesë mjekësore për t’i qetësuar lojtarët e kombëtares.

“Na u desh të gjenim ndihmë profesionale të përshtatshme që futbollistët të ndiheshin të sigurt, sepse shëndeti është mbi të gjitha”, theksoi Fall.

Megjithatë, Shoqata Senegaleze e Mjekësisë Sportive i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si “të pabaza dhe shpifëse” në një deklaratë të publikuar të hënën në mbrëmje.

Në deklaratë thuhet se mjeku i përfaqësueses, Abderrahmane Fédior, zotëron një diplomë të specializuar në mjekësi sportive dhe biologji sportive nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Cheikh Anta Diop”.

Më parë, ai kishte drejtuar repartin e fizioterapisë në spitalin “Fann”, ndërsa si mjek i përfaqësueses së Senegalit punon që nga viti 2017. Gjatë kësaj periudhe, ai ka qenë pjesë e ekipit kombëtar në tre Kupa Bote dhe pesë edicione të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Senegali të shtunën shkarkoi përzgjedhësin Pape Bouna Thiaw, duke theksuar se rezultatet në Kupën e Botës kërkonin ndryshime.

Senegali humbi dy ndeshjet e para të fazës së grupeve ndaj Francës dhe Norvegjisë, ndërsa në ndeshjen e fazës së 1/16-ës kundër Belgjikës shpërdoroi epërsinë 2-0 pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt dhe më pas u mposht 2-3 pas vazhdimeve.

Trending