Trendy

Takimi i Trump me Erdoganin shqetëson Izraelin

Para 1 orë

Vizita e presidentit amerikan Donald Trump në samitin e NATO-s në Ankara, Turqi, pritet të sjellë përballjen mes njërit prej aleatëve më të ngushtë të Izraelit dhe njërit prej kundërshtarëve të tij kryesorë.

Turqia dhe Izraeli kanë ashpërsuar së fundmi retorikën ndaj njëri-tjetrit, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të ndjekë nga afër takimet e Trump me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi javën e kaluar në një intervistë për CNN Turk se Izraeli është bërë «një barrë që njerëzimi nuk mund ta përballojë më».

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, i dënoi këto deklarata, duke i cilësuar si “nxitje klasike për gjenocid”, dhe i bëri thirrje NATO-s të reagojë. Sipas një burimi izraelit, Netanyahu e ka ngritur këtë çështje edhe në bisedimet me Trump.

Një nga shqetësimet kryesore të Izraelit është synimi i deklaruar i Trump për t’i shitur Turqisë avionët luftarakë të avancuar F-35, një marrëveshje që Izraeli po përpiqet ta bllokojë përmes aleatëve të tij në Uashington.

Netanyahu e bëri publik këtë shqetësim në një intervistë për Fox News, duke paralajmëruar se armatosja e “një regjimi të infektuar nga Vëllazëria Myslimane” do të “prishte ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme, i cili në fund të fundit garantohet nga epërsia ajrore e Izraelit dhe prania amerikane”.

Burimi izraelit tha për CNN se Netanyahu e ka ngritur këtë çështje edhe privatisht me Trump, duke argumentuar se shitja e F-35 mund të dëmtojë avantazhin cilësor ushtarak të Izraelit.

“Mesazhi nga administrata ishte se, edhe nëse shitja miratohet dhe realizohet, do të duhet një kohë e konsiderueshme që ajo të konkretizohet”, tha burimi.

Trending