Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Kumanovë ka reaguar ndaj punësimeve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, duke akuzuar drejtuesit e këtij institucioni për përjashtim të shqiptarëve nga procesi i punësimit dhe shkelje të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Sipas reagimit të kësaj dege, vetëm gjatë ditës së sotme, në Spitalin e Kumanovës kanë nënshkruar kontrata pune 60 persona të përkatësisë etnike maqedonase, ndërsa në mesin e tyre nuk figuron asnjë shqiptar.
BDI pretendon se kjo nuk është një situatë e izoluar, pasi, sipas të dhënave që ka publikuar, gjatë dy muajve të fundit në këtë institucion shëndetësor janë realizuar mbi 80 punësime, pa u përfshirë asnjë pjesëtar i komunitetit shqiptar.
“Deshqiptarizim i Spitalit të Kumanovës, skandal që nuk mund të kalojë ne heshtje!”, thuhet në reagimin e Degës së BDI-së në Kumanovë.
Lexo edheBashkim Hasani: Në dy vitet e VLEN-it ka rritje pagash, punësime dhe projekte, burgosje e vrasje politike zeroNga kjo parti vlerësojnë se një praktikë e tillë ngre shqetësime serioze për mënyrën e zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet publike, veçanërisht në një qytet multietnik si Kumanova, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.
Në reagim, BDI kritikon edhe përfaqësuesit politikë që kanë premtuar respektimin e përfaqësimit të drejtë në institucionet shtetërore, duke kërkuar përgjegjësi për punësimet e fundit. “Mjaft me deklarata, mjaft me arsyetime, mjaft me mashtrime! Vallë kjo është përfaqësim i drejtë dhe adekuat që e premtuat?!”, theksohet në reagim. (koha.mk)
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












