Futbollisti shqiptar, Isnik Alimi, është shpallur kampion i Kinës me skuadrën e Dalian Yingbos, duke arritur një sukses të rëndësishëm në karrierën e tij.
Alimi u paraqit titullar në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku Dalian Yingbo triumfoi me rezultat 3:1 ndaj Tianjin Jinmen Tigers.
Kështu, Dalian Yingbo e fitoi titullin e parë në historinë e klubit, pas një përfundimi dramatik të kampionatit. Chengdu Rongcheng, që ishte lider para xhiros së fundit, pësoi humbje 3:2 nga Shandong Taishan, ndonëse i mjaftonte edhe një pikë për ta siguruar titullin.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë sukses është përmbysja e jashtëzakonshme e Dalianit, që arriti të rikuperonte një diferencë prej 14 pikësh në pesë xhirot e fundit të kampionatit, sipas raportimit të “Associated Press”.
Lexo edheMessi shkruan histori në MLS, fiton “Këpucën e Artë” për të dytin vit radhaziNga ana tjetër, Chengdu nuk arriti të fitonte asnjërën nga pesë ndeshjet e fundit, duke regjistruar një barazim dhe katër humbje. Kështu, skuadra ia la rrugën e hapur Dalianit për ta fituar titullin.
Alimi 32-vjeçar ishte njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm të Dalianit gjatë këtij sezoni dhe dha kontribut të çmuar në këtë sukses historik të klubit.
Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të mira në Kinë, Alimi nuk po gjen më vend në përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut. Ai ishte një futbollist i rëndësishëm nën drejtimin e ish-përzgjedhësit Blagoja Milevski, por pas ardhjes së trajnerit të ri, Goce Sedloski, është lënë jashtë dy grumbullimeve të fundit. Po ashtu, nuk është ftuar as për ndeshjet e nëntorit.
Sidoqoftë, Isnik Alimi ka shkruar një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u shpallur kampion i Kinës me Dalian Yingbon.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












