Një ngjarje makabre ka tronditur Turqinë, ku 29-vjeçari Arif Sefa Ozdemir dyshohet se ka vrarë tetë persona dhe ka plagosur rëndë një grua. Detaje të reja kanë dalë nga dëshmia e tij para autoriteteve, duke zbardhur motivet e pretenduara dhe mënyrën se si u zhvillua masakra.
Sipas mediave turke, Ozdemir deklaroi se tre viktimat e para i vrau për shkak të një konflikti financiar që lidhej me blerjen e një autokombajne, ndërsa pesë personat e tjerë u vranë gjatë tentativës së tij për t’u arratisur dhe për t’u marrë automjetet.
Konflikti për autokombajnën dhe borxhin prej 11 mijë eurosh
Në dëshminë e tij, 29-vjeçari tregoi se kishte blerë një autokombajnë korrëse nga Ahmet Uzel, për shumën prej 40 mijë eurosh.
Lexo edhe“Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime” – letra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritejMegjithatë, gjatë punës në një fushë, makineria ishte përfshirë nga flakët dhe ishte shkatërruar plotësisht. Pas këtij incidenti, mes tij dhe shitësit kishte lindur një mosmarrëveshje për detyrimet financiare.
Sipas rrëfimit të Ozdemirit, ata ishin takuar javën e kaluar, ku Uzel i kishte kërkuar 11 mijë euro, ndërsa 29-vjeçari pretendonte se shuma që i detyrohej ishte vetëm 4 mijë euro.
Mosmarrëveshja ishte përshkallëzuar edhe përmes telefonatave, ku dyshohet se kishte pasur fyerje dhe kërcënime.
Të mërkurën, Ozdemir e ftoi Uzelin në zonën ku banonte, me pretekstin se do t’i shlyente paratë. Ky i fundit mbërriti së bashku me dy miqtë e tij, Bekir dhe Noman Toprak.
Por takimi përfundoi në tragjedi. Pas konfliktit mes tyre, 29-vjeçari dyshohet se hapi zjarr me një armë gjahu, duke vrarë të tre burrat.
Pesë viktimat e tjera, gjatë arratisjes
Pas vrasjes së trefishtë, Ozdemir u largua nga vendngjarja dhe nisi të kërkonte automjete për të vijuar arratisjen.
Sipas raportimeve të mediave turke, ai qëlloi ndaj personave që refuzuan t’i jepnin makinat. Mes viktimave ishin edhe dy mësuese, Ayşe Sena Demir dhe Hilal Mete, të cilat u qëlluan teksa ndodheshin në një automjet. Një mësuese tjetër që udhëtonte me to arriti të shpëtonte.
Në mesin e viktimave të tjera ishin edhe çifti i moshuar Seydi Ahmet Aydoğmuş dhe Satı Aydoğmuş, si dhe 61-vjeçari İsmail Şen.
Gjatë sulmeve u plagos rëndë edhe një grua, Sevgi Postalcı, nënë e tre fëmijëve, të cilën autori i dyshuar e qëlloi në kokë pasi ajo kundërshtoi t’i jepte automjetin.
Një ditë para masakrës telefonoi kryeplakun dhe i kërkoi t’ia bënte hallall
Një prej detajeve më tronditëse të publikuara nga mediat turke lidhet me një telefonatë që Ozdemir kishte bërë vetëm një ditë përpara masakrës.
Kryeplaku i lagjes Tekeli Atatürk, Osman Kavlagan, tregoi se 29-vjeçari e kishte telefonuar të mërkurën në orën 18:42. Biseda kishte zgjatur rreth nëntë minuta.
Sipas rrëfimit të tij, Ozdemir fillimisht e kishte pyetur nëse kishte ndonjë shqetësim apo diçka kundër tij, përpara se t’i thoshte:
“Abi, më ke ndihmuar shumë, ma bëj hallall”.
Kryeplaku tregoi se nuk i kishte kushtuar rëndësi të veçantë kësaj bisede në atë moment, por pas lajmit për masakrën kishte kuptuar se personi që e kishte telefonuar ishte pikërisht 29-vjeçari.
Banorët i kishin mbledhur para për ta ndihmuar pas djegies së autokombajnës
Një tjetër detaj i publikuar nga mediat turke është se banorët e zonës ku kishte punuar Ozdemir ishin përpjekur ta ndihmonin financiarisht pas djegies së makinerisë.
Sipas dëshmisë së kryeplakut Kavlagan, komuniteti kishte mbledhur rreth 50 mijë lira turke, me kontributin e tregtarëve, gomistëve, mekanikëve dhe furnizuesve me karburant.
Edhe pronari i tokës ku ishte djegur autokombajna, Ahmet Gök, konfirmoi se banorët kishin kontribuar për ta ndihmuar 29-vjeçarin. Ai tregoi se nga zjarri ishin dëmtuar jo vetëm makineria, por edhe toka dhe prodhimet bujqësore.
U kap në Eskişehir pas një arratisjeje me disa automjete të grabitura
Pas vrasjeve, Ozdemir vazhdoi arratisjen duke marrë me forcë automjete të ndryshme. Në një moment, ai dyshohet se u prezantua si punonjës i inteligjencës turke, për të detyruar drejtuesit t’i dorëzonin makinat.
Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë filmuar atë duke dalë nga një automjet me armë në dorë dhe duke kërcënuar drejtues të tjerë.
Sipas raportimeve, në një prej rasteve ai i tha një drejtuesi automjeti: “Largohu, shiko, kam vrarë tetë persona”.
Automjeti me të cilin po udhëtonte u bllokua në një zonë rurale të Eskişehirit, pasi ngeci në baltë. Më pas, ai dyshohet se mori një tjetër makinë nga një person që shiste qumësht.
Arratisja përfundoi pasi policia dhe xhandarmëria ngritën një pikë kontrolli. Forcat e rendit qëlluan gomat e automjetit për ta ndaluar, ndërsa 29-vjeçari u arrestua pasi tentoi t’u kundërpërgjigjej me armë.
Gjatë kontrollit iu gjetën një sasi e konsiderueshme fishekësh.
Hetimet për masakrën vijojnë, ndërsa dëshmia e Arif Sefa Ozdemirit dhe detajet e zbuluara nga mediat turke kanë nxjerrë në pah një zinxhir ngjarjesh që nisi me një konflikt për një autokombajnë dhe përfundoi me tetë viktima e një të plagosur rëndë.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












