Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetime ndaj katër personave, të dyshuar për organizim kriminal, zhvatje dhe pastrim parash. Grupi dyshohet se drejtohej nga një person nga Kumanova dhe kishte vepruar që nga viti 2021.
Sipas Prokurorisë, një grua kishte marrë hua 4.000 euro, me kusht që brenda një muaji të kthente edhe 2.500 euro kamatë. Megjithëse kishte shlyer të gjithë shumën, i dyshuari kishte kërkuar ta përdorte llogarinë e saj bankare për qarkullimin e parave të përfituara nga zhvatja.
Pas refuzimit, gruaja dyshohet se ishte kërcënuar dhe detyruar të dorëzonte veturën si garanci për borxhe fiktive.
Të dyshuarit kishin përgatitur kontrata të falsifikuara për shitblerjen e automjetit dhe një hua të pretenduar prej një milion denarësh. Dokumentet, me nënshkrimin e falsifikuar të viktimës, ishin vërtetuar te noteri pa dijeninë e saj.
Lexo edheBastisje të mëdha në Kumanovë! Policia gjen para, automjete dhe dokumentacion gjatë aksionit kundër krimit të organizuarNë bazë të këtyre dokumenteve, pronësia e automjetit ishte transferuar te njëri prej të dyshuarve, ndërsa gruaja ishte detyruar të paguante edhe borxhin e pretenduar.
Për rastin është nën hetim edhe noteri, i dyshuar për punë të pandërgjegjshme në detyrë.
Prokuroria ka zbuluar edhe një rast tjetër, ku një qytetar kishte marrë dy hua nga 180.000 denarë për shërimin e bashkëshortes. Edhe pse i kishte kthyer paratë, të dyshuarit kishin vazhduar t’i kërkonin kamata dhe e kishin detyruar të lejonte përdorimin e llogarisë së tij për transferimin dhe tërheqjen e parave të dyshuara si të përfituara nga zhvatja.
Për tre të dyshuar është kërkuar paraburgim, ndërsa personi i katërt ndodhet jashtë vendit.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












