Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të ndriçimit të Urës së Gurit në Shkup, projekt i realizuar nga Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Komunën e Esenlerit nga Stambolli dhe me mbështetjen financiare të Halkbank AD Shkup, përcjell tetova1
Por, pas inaugurimit, vëmendje ka tërhequr një tjetër detaj: tabela informuese e vendosur në hyrje të Urës së Gurit, ku bëhet e ditur se objekti është ndriçuar me ndihmën e Komunës së Esenlerit dhe Halkbank AD Shkup, është shkruar në tri gjuhë: maqedonisht, turqisht dhe anglisht, ndërsa shqipja mungon.
Ajo që bie në sy është se shqipja, gjuha e një pjese të madhe të qytetarëve të Shkupit dhe e një komuniteti kushtetues në vend, është lënë jashtë këtij mbishkrimi informues.
Kjo situatë ngre një sërë pikëpyetjesh: Si është e mundur që në një nga monumentet më të njohura të Shkupit të vendoset një tabelë informuese në tri gjuhë, ndërsa të anashkalohet pikërisht gjuha shqipe?
A bëhet fjalë për një lëshim administrativ, mungesë ndjeshmërie institucionale apo një tjetër rast të trajtimit selektiv të gjuhës shqipe?
Ura e Gurit është pjesë e trashëgimisë dhe identitetit të përbashkët të Shkupit. Respektimi i gjuhëve të qytetarëve nuk duhet të jetë çështje vullneti, por parim i barazisë dhe respektit institucional.
Mbetet e paqartë se kush e ka miratuar vendosjen e kësaj tabele dhe përse shqipja nuk është përfshirë në të./tetova1.mk/
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












