Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

VMRO: Kredia prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka për kompaninë e krushkut të Ahmetit ngre dyshime për lidhje biznesore

VMRO: Kredia prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka për kompaninë e krushkut të Ahmetit ngre dyshime për lidhje biznesore

Partia në pushtet pretendon se kreditimi i kompanisë së lidhur me familjen e Ali Ahmetit dhe shitja e aksioneve në ish-Stopanska Banka Manastir te biznesmeni serb Davor Macura janë pjesë e një zinxhiri transaksionesh që kërkon sqarim. VMRO-DPMNE kërkon përgjigje nga BDI dhe LSDM për rolin e ish-funksionarëve Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi në procesin e hyrjes së Alta Bankës në tregun financiar maqedonas.

VMRO-DPMNE ka akuzuar ish-qeverinë e udhëhequr nga LSDM dhe BDI se pas rastit të Alta Bankës qëndrojnë interesa biznesore dhe marrëdhënie të dyshuara financiare mes qarqeve të lidhura me ish-pushtetin dhe biznesmenit serb Davor Macura.

Sipas partisë, kompania „AS Senjak“, në pronësi të Selaudin Arifit, të cilin VMRO-DPMNE e cilëson si krushk të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ka përfituar një kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd, ndërsa më vonë i ka shitur aksionet e saj në Stopanska Banka Manastir pikërisht biznesmenit Macura.

„Rasti i Alta Bankës është dëshmi e mënyrës së qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, të udhëhequra nga Ahmeti dhe klani Zaev. Për këto parti, shteti dhe qytetarët nuk kanë qenë të rëndësishëm, ndërsa interesi i vetëm kanë qenë skemat e biznesit, marrëveshjet jotransparente dhe pasurimi i individëve“, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

Lexo edheVLEN: Një kompani e lidhur me rrethin familjar të Ahmetit ka marë 5 milionë euro nga Alta Banka në Serbi, jo në Maqedoni!

Sipas versionit të paraqitur nga partia, në tetor të vitit 2024, kompania „AS Senjak“ nga Kërçova, në pronësi të Selaudin Arifit, ka hyrë në biznesin bankar duke blerë një paketë të konsiderueshme aksionesh në Stopanska Banka Manastir.

Në qershor të vitit 2025, një kompani e lidhur me këtë rrjet biznesor ka marrë një kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd.

VMRO-DPMNE pretendon se më 17 shtator 2025, „AS Senjak“ ia ka shitur aksionet në bankën e Manastirit Davor Macurës dhe Alta Bankës, duke i hapur rrugë marrjes së kontrollit mbi bankën në Maqedoninë e Veriut.

Nga partia shtojnë se Macura, të cilin e cilësojnë si biznesmen kontrovers serb dhe i cili, sipas komunikatës, aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi, fillimisht kishte marrë kontrollin mbi Stopanska Banka Manastir, e cila më pas u riemërua në Alta Banka Maqedoni.

VMRO-DPMNE kërkon përgjigje për kredinë dhe shitjen e aksioneve

Duke iu referuar afërsisë kohore mes kreditimit dhe shitjes së aksioneve, VMRO-DPMNE ngre disa pikëpyetje për marrëdhëniet financiare mes palëve.

„A kanë qenë kredia prej 5 milionë eurosh dhe blerja e aksioneve të ndërlidhura mes vete? A e ka financuar Macura në mënyrë indirekte hyrjen e tij në tregun maqedonas përmes kreditimit të një kompanie nga rrethi i biznesit të Ahmetit? Sa kanë kushtuar aksionet dhe çfarë përfitimi financiar ka realizuar shitësi?“, pyesin nga partia.

VMRO-DPMNE kërkon gjithashtu që kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, të sqarojë nëse ish-funksionarët e partisë dhe të BDI-së kishin njohuri për marrëdhëniet biznesore në fjalë.

Në veçanti, partia përmend ish-ministrin e Financave Fatmir Besimi, ish-ministrin e Jashtëm Bujar Osmani dhe ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi.

Sipas VMRO-DPMNE-së, më 24 tetor 2023, Besimi e kishte hapur në një seancë qeveritare çështjen e hyrjes së Alta Bankës në sektorin financiar të Maqedonisë së Veriut.

„A e dinin atëherë LSDM dhe BDI për marrëdhëniet afariste me kompaninë e krushkut të Ahmetit? A kishin informacione për origjinën e kapitalit të bankës dhe për dyshimet eventuale? Pse heshtën për bashkëpunimin afarist mes qarqeve të BDI-së, Davor Macurës dhe Alta Bankës?“, janë pyetjet e parashtruara nga VMRO-DPMNE.

Deri në publikimin e këtyre pretendimeve, komunikata e partisë nuk paraqet prova që do të vërtetonin se kredia prej 5 milionë eurosh dhe shitja e aksioneve kanë qenë pjesë e një marrëveshjeje të përbashkët. Çështjet e ngritura nga VMRO-DPMNE mbeten pretendime politike që kërkojnë sqarim dhe verifikim nga institucionet dhe palët e përmendura.

Më shumë për këtë

Qoku: Si përfunduan aksionet e krushkut të Ahmetit te banka serbe Alta Bank?Maqedoni · 4 ditë më parëNga perandoria e kokainës te luksi në Dubai! Kush është “napoleoni” shqiptar dhe pasuria 17 milionë euroshe e Suada Sherifit!Maqedoni · 2 ditë më parëBanka Popullore ka paditur zyrtarët e LSDM-së për deklaratat e tyre në lidhje me Alta BankënMaqedoni · 4 ditë më parë

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme